PD: Tahiri, ministri i lidhjeve kriminale

27/01/2016 14:10

Partia Demokratike, nëpërmjet zëdhënëses së saj Ina Zhupa, ka deklaruar se Saimir Tahiri “ka shkelur besimin publik që duhet të kenë qytetarët te policia”, duke shkelur “ligjin dhe etikën” gjatë detyrës së tij.

“Saimir Tahiri predikoi pa turp sot ligjin, besimin dhe etikën në polici, tre elementë për të cilat ky ministër duhej të kishte ikur me kohë nga detyra e të ishte përgjigjur para drejtësisë. Saimir Tahiri ka shkelur ligjin, dhe këtë e di çdo shqiptar. Ai vetë pranoi se ka shitur në të zezë taksinë e drogës, makinën e tij private, dhe këtë shitje nuk e ka deklaruar. Ai vetë, publikisht deklaroi se nuk pranon të zbatojë një vendim gjykate në fuqi. Një shkelje e rëndë e ligjit.
Saimir Tahiri ka shkelur besimin publik që duhet të kenë qytetarët tek policia, pasi me makinën e tij personale private, banda e habilajve i është fshehur kontrolleve dhe ka kryer trafik droge.
Saimir Tahiri është një shkelës i madh i etikës, pasi megjithë skandalet që kanë ndodhur, me gjithë provat e faktet e përfshirjes së tij në trafik e lidhje me krimin, ai nuk ka mbajtur përgjegjësi dhe ka vazhduar t’i shërbejë bandave me postin e tij”, deklaroi Zhupa.

“Një seri ekzekutimesh mafioze kanë ndodhur vetëm në muajin janar dhe Tahiri nuk mban asnjë përgjegjësi. Ai është ministri më i inkriminuar në Ballkan dhe sa më shumë qëndron në detyrë, aq më shumë stimulon krimin e trafiqet dhe minon besimin e publikut tek policia”, shtoi Zhupa.

Top Channel