Nis procesi gjyqësor ndaj Almir Dacit, edhe pse ndodhet në Siri

27/01/2016 00:00

Në seancën e parë gjyqësore kundër Almir Dacit, i njohur si Ebu Beliksa, Gjykata e Krimeve të Rënda urdhëroi të njoftohen të gjitha Drejtoritë e Policisë në vend, për të vënë në dijeni 33-vjeçarin apo familjarët, pasi procesi ndaj tij ka nisur në mungesë.

Por ky veprim është vetëm procedurial, pasi i kërkuari, një ish-imam në Xhaminë e Leshnicës në Pogradec, ndodhet në Siri dhe Prokuroria ka bashkëngjitur në fashikull edhe daljen e tij nga vendi përmes Aeroportit të Rinasit, më 8 shkurt 2013.

Ndaj Almir Dacit, i cili ka marrë në Siri dy fëmijët e tij dhe bashkëshorten, janë ngritur akuzat e pjesëmarrjes luftarake në një shtet të huaj, rekrutim të personave për kryerje të veprave terroriste dhe propagandë për kryerje veprash terroriste.

Babai i 33-vjeçarit, Xhevahir Daci, i vetmi familjar i pranishëm në gjykatë, pohon se komunikimin e fundit me të birin e ka pasur para një muaji.

“Më ka thënë vetëm që është mirë dhe asgjë tjetër. Nuk më ka thënë për adresë. Kur na mori në telefon nuk tha që është në Siri, por në Arabi”, shprehet Xhevahir Daci, babai i Almir Dacit.

Prokuroria e Krimeve të Rënda thotë se, Almir Daci është bërë pjesë e organizatës terroriste të Shtetit Islamik në Siri dhe se, ai shfaqet në përgjimet telefonike me Bujar Hysën, një i pandehur, ndërsa komunikojnë për organizimin e njerëzve për t’i dërguar si xhihadistë atje.

Top Channel