Përkujtohet dita e Holokaustit, medalje për familjet që shpëtuan hebrenjtë në Shqipëri

27/01/2016 00:00

Është përkujtuar Dita e Kujtesës, me një ceremoni nën kujdesin e ministrit të Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me Këshillin e Europës dhe zyrën e OKB-së në Shqipëri.

Në ceremoni, ambasadori i Izraelit i akordi në emër të shtetit të Izraelit, medaljen e mirënjohjes Rexhep Hoxhës, për kontributin që familja e tij ka dhënë në shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri.

Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë, ministri Bushati e vuri theksin në rëndësinë e përkujtimit të Holokaustit, si tregues jo vetëm i respektit sublim ndaj atyre që humbën jetën, por edhe i mirënjohjes ndaj paraardhësve tanë, të cilët dëshmuan përkushtimin e tyre ndaj vlerave më të larta njerëzore.

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi u ndal në vlerën e bashkëjetesës fetare të shoqërisë sonë, si shembull frymëzues i tolerancës në bote, si dhe rëndësinë që ka edukimi i brezave të rinj në njohjen e kësaj të shkuare të errët të njerëzimit.

Ministri Edmond Panariti, si anëtar i një familjeje të vlerësuar nga Izraeli për shpëtimin e disa hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, solli dëshminë e familjes së tij.

Ndërsa koordinatori i OKB-së në Tiranë, Brian William vlerësoi shembullin shqiptar të shpëtimit të hebrenjve dhe të tolerancës ndërfetare, sidomos në ditët e sotme, kur bota rrezikohet nga radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm.

Ambasadori izraelit në Shqipëri, Boaz Rodkin deklaroi se, popullsia shqiptare në një akt të jashtëzakonshëm nuk pranoi të pajtohet me urdhrat e okupatorit për t’i dorëzuar hebrenjtë, të cilët jetonin brenda kufijve të vendit, madje u kthyen në një vend të shenjtë për refugjatët hebrenj, që kishin ardhur në Shqipëri. “Ndihma e jashtëzakonshme dhënë hebrenjve u bazua te “besa”, një kod nderi, i cili ende edhe sot shërben si kodi më i lartë etik në vend”.

Top Channel