Grushte dhe frakturë, ylli i NBA del jashtë kontrollit

27/01/2016 00:00

Blake Griffin, anësori i skuadrës së njohur të basketbollit amerikan Los Angeles Clippers është bërë protagonist i një grindjeje të dhunshme fizike që ka pushtuar faqet e para të mediave sportive.

Sportisti i superpaguar dhe protagonist në shumë ndeshje të NBA, u përfshi në një sherr me magazinierin e ekipit gjatë një transferte në Toronto, Kanada, në një incident që nisi në restorant dhe përfundoi në spital.

Griffin pësoi frakturë në njërën dorë për shkak të konfliktit fizik me shokun e tij. Për shkak të dëmtimit, basketbollisti amerikan, kandidat për të marrë pjesë në All Stars Game, do të qëndrojë një muaj larg parketit.

Policia e Torontos nuk u përfshi aspak në këtë ngjarje pasi protagonistët nuk preferuan denoncimin, por e rreptë ishte komunikata e Los Angeles Clippers.

Skuadra kaliforniane ka kërkuar hetime të mëtejshme, duke paralajmëruar dhe gjobë të majme për protagonistët.

Kjo nuk është hera e parë që Blake Griffin bëhet protagonist në ngjarje të dhunshme, pasi një tjetër episod me agresion fizik, e përfshiu në vitin 2014.

Top Channel