Kosovë, pajisja me lejeqëndrimi nga shqiptarët, njësoj si të huajt e tjerë

27/01/2016 00:00

Institucionet e Kosovës i trajtojnë qytetarët e Shqipërisë, që kërkojnë leje qëndrimi për punë, njësoj sikurse qytetarët e shteteve të tjera të huaja.

Pavarësisht dhjetëra marrëveshjeve të arritura mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, shtetasit shqiptarë presin çdo ditë me orë të tëra, bashkë me ata turq, sirianë dhe shtetas të tjerë të huaj, për të marrë një leje qëndrimi në Kosovë.

Rashela Dyca, e cila është punësuar në një kompani projektimesh dhe punon si arkitekte në Prishtinë, të mërkurën ka qenë disa herë për të marrë lejen e qëndrimit.

“Jo, ende nuk e kam marrë. Po pres ta marr sot. Normalisht duhet të zgjasë 30 ditë aplikimi, por 30 ditë kanë kaluar. Unë po shpresoj ta marr sot”, tha Rashela Dyca, arkitekte nga Shqipëria.

Dyca tha se, gjatë procedurave të aplikimit ka pritur deri në një orë në radhë, bashkë me shtetas të huaj, ndërsa bën thirrje që të bëhet një sportel i veçantë për shtetasit shqiptarë.

“Shumica e shtetasve të tjerë kam përshtypjen se ishin të huaj. Kam pritur rreth një orë. Është e treta herë që vij sot. Përshpejtimi i procedurës duhet të bëhet me një sportel të veçantë për shtetasit shqiptarë”, tha Rashela Dyca, arkitekte nga Shqipëria.

Në divizionin për shtetasit e huaj, në Ministrinë e Brendshme të Kosovës, tregojnë se marrëveshjet ndërshtetërore nuk kanë parashikuar ndonjë lehtësim të procedurave për shtetasit e Shqipërisë, ndaj ligji zbatohet njësoj për të gjithë shtetasit e huaj.

“Ministria e Brendshme funksionon në bazë të legjislacionit për të huajt dhe udhëzimeve administrative, të cilat rregullojnë fushën e të huajve në Republikën e Kosovës. Ndërsa, sa i përket marrëveshjeve, nuk e kemi ndonjë të tillë të lidhur nga qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, lidhur me lehtësimin e procedurave të qëndrimit të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës”, tha Alban Arifi, udhëheqës i Divizionit për të Huajt, MPB e Kosovës.

Arifi tha se, vetëm gjatë vitit të kaluar, 876 shtetas nga Republika e Shqipërisë kanë marrë leje qëndrimi në Kosovë, ndërsa ky numër është rritur pasi – siç tha ai, – deri vitin e kaluar ka pasur një monitorim më të ulët për kërkimin e lejeqëndrimeve për shtetasit shqiptarë.

Top Channel