Raporti i “Human Rights Watch”, Kosova kritikohet për të drejtat e njeriut

27/01/2016 00:00

Organizata Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut “Human Rights Watch”, ka publikuar një raport në të cilin vlerësohet se Kosova ka shënuar përparim të vogël, ku theksohen probleme dhe vështirësi në zbatimin e programeve dhe projektve për të drejtat e njeriut gjatë vitit 2015.

Bazuar në gjetjet e raportit, edhe në vitin 2015, gazetarët, veçanërisht ata që raportojnë për grupet radikale islamike, përballen me kërcënime, ndërsa procesi i hetimeve dhe ndjekjeve penale, është i ngadalshëm.

Sipas raportit, së paku një gazetar hulumtues është detyruar të largohet përkohësisht nga Kosova për shkak të kërcënimeve me vdekje. Ndërsa AGK ka regjistruar 22 ankesa nga gazetarë të kërcënuar, kryesisht përmes rrjeteve sociale.

Këtu theksohet rasti i Serbeze Haxhiaj, gazetare e Radio Kosovës, e cila dyshohet se është kërcënuar nga ish-luftëtarë të UÇK-së, pasi ajo ishte duke hetuar nëse në listat e veteranëve janë përfshirë edhe persona që nuk kanë qenë në luftë.

Në vitin 2009 është krijuar paneli mbikqyrës i të drejtave të njeriut, si organ i pavarur për të vlerësuar pretendimet për shkeljen e të drejtave të njeriut nga stafi i EULEX-it. Nga vlerësimet e këtij paneli, në raport theksohet se në muajin prill EULEX-i ka shkelur Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, pasi ka dështuar së hetuari dëmet që i janë shkaktuar 116 personave të komunitetit rom të zhvendosur në kampet brenda vendit, të kontaminuara me plumb, gjatë dhe si rezultat i konfliktit të vitit 1999. 

Sipas raportit, shkelje është gjetur edhe nga paneli këshilldhënës për të drejtat e njeriut, organ i pavarur i krijuar në vitin 2006, për shqyrtimin e ankesave të bëra nga ose që i atribuohen UNMIK-ut, misionit të Administratës së Përkoshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Sipas këtij raporti, mes muajit janar dhe gusht,  nga 36 raste janë gjetur 31 shkelje.

Ndërsa sa i përket trajtimit të minoriteteve, në raport thuhet se komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian vazhdojnë të përballen me  probleme në sigurimin e dokumenteve personale, gjë që ndikon në qasjen e tyre në kujdesin shëndetësor, asistencën sociale dhe edukimin.  Sipas raportit, mungesa e vullnetit politik, fondet dhe bashkëpunimi mes autoriteteve qendrore me ato komunale, kanë kontribuar në dështimin për zbatimin e plotë të strategjisë së vitit 2010, për integrimin e komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian.

Tensionet ndëretnike, sipas raprotit të “Human Rights Watch” vazhdojnë ta mbajnë të ndarë veriun e Kosovës, duke theksuar therrjen me thikë të një serbi 17-vjeçar në Mitrovicë, nga persona të panjohur, që sipas dëshimtarëve të rastit, kanë ikur në drejtim të jugut, pjesë kjo e banuar me shqiptarë.

Mes muajit janar dhe shtator të vitit 2015, në raport thuhet se Policia e Kosovës ka regjistruar pesë incidente ndëretnike.

Bazuar në përfundimet e raportit, rritje është shënuar në kthimin e qytetarëve nga Europa Perëndimore në Kosovë, shumica e të cilëve shqiptarë, por edhe romë, ashkali dhe egjiptianë.

Në raportin e “Human Right Watch”, thuhet se Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, ka regjistruar 7 380 persona të kthyer me detyrim në Kosovë, nga 1 janari deri më 30 shtator 2015. Në mesin e këtyre personave 320 të komunitetit rom, 282 ashkali, 68 egjiptianë. Në mesin e tyre ishin edhe 1 855 fëmijë.

Top Channel