Rama me biznesin e huaj: Qeveria, lehtësi për investimet

27/01/2016 18:40

Kryeministri Edi Rama ishte pasditen e kësaj të mërkure i pranishëm në takimin e Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri, e cila paraqiti dhe sondazhin për ecurinë e ekonomisë sonë gjatë vitit që shkoi.

Shoqata vlerësoi se treguesit ekonomikë janë në drejtimin e duhur, çka ka bërë që kreu i qeverisë të pohojë që për herë të parë nuk i duhej të kontestonte një sondazh.

Ai u ndal tek masat e qeverisë që kanë ndikuar në përmirësimin e klimës së ekonomisë, duke nisur nga sistemi i TVSh-së dhe rimbursimi i saj i shpejtë.

Për sektorin energjitik, Rama tha se synimi i qeverisë është liberalizimi i plotë i tregut në vitin 2018. Për çmimet e referencës, Rama tha se po punohet me palën italiane për të arritur në një zgjidhje për shkëmbimin e të dhënave.

“Mungesa e shkëmbimit të të dhënave me vendet e origjinës për mallrat e importuara po krijon një barrë të madhe dhe po hap shumë hapësirë për evazion”, pohoi Rama.

Fuqizimi i partneriteti publik-privat ishte pika që kreu i qeverisë e cilësoi si të vetmen mënyrë për të rritur ekonominë duke mos ndryshuar taksat dhe borxhin.

Kryeministri nuk la pa nënvizuar në formë kritike mungesën e fleksibilitetit të bankave për të dhënë hua. “Likuiditeti është i lartë, por bankat nuk japin para për projektet aq sa duhet dhe aq sa mundin”, tha Rama. 

Top Channel