MAS kërkon procedim për drejtoren e Beratit

27/01/2016 19:20

Ministria e Arsimit i ka kërkuar Drejtorisë Arsimore Rajonale të Beratit nisjen e procedimit disiplinor dhe marrjen e masave administrative ndaj drejtores së shkollës “Thimi Tani”, e denoncuar në Fiks Fare për abuzime me detyrën.

“Duke marrë shkas nga pamjet e transmetuara më datë 26 Janar 2016 në emisionin investigativ “Fiks Fare” në televizionin Top Channel, i cili përcolli denoncimin e disa mësuesve të qytetit të Beratit në lidhje me sjelljet jo etike, deri abuzuese, të drejtoreshës së Shkollës “Thimi Tani”, Ministria e Arsimit dhe Sportit informon se ka kontaktuar me Drejtorinë Arsimore Rajonale Berat, ku i ka kërkuar fillimin e procedimit disiplinor dhe marrjen e masave të ashpra administrative për këtë rast, për shkak të thyerjes së kodit të etikës së komunikimit, disiplinës, abuzimit me detyrën nga ana e drejtueses së këtij institucioni arsimor”, thuhet në deklaratën e MAS.

Në pamjet filmike të transmetuara nga Fiks Fare të martën, drejtorja e shkollës denoncohej nga mësuesit e kësaj shkolle se ka përpiluar në 2013-n një listë me të dhënat personale të mësuesve të shkollës që drejton duke shfaqur krah gjeneraliteteve të tyre edhe bindjet politike të secilit.

MAS zotohet se “kushdo që përdor detyrën e tij shtetërore për të ringjallur politikën e vjetër të rrënimit të arsimit, përmes imponimit të bindjeve partiake mbi trupën e mësuesve dhe nxënësve nuk do të lejohet të jetë pjesë e kësaj trupe”.

Top Channel