Tahiri: Ramën e votuan shqiptarët. Tezat e Blushit, jo rëndësi themelore

27/01/2016 19:45

Saimir Tahiri, kryetar i PS për kryeqytetin, njëherazi koordinator për Tiranën dhe Durrësin, në një intervistë për Top-Channel tregon se e sheh kongresin e 19 marsit si një fazë të re të jetës politike dhe të marrëdhënies së të zgjedhurve me forumet dhe qytetarët.

Me zotin Tahiri bisedoi gazetari Muhamed Veliu, i cili e pyeti fillimisht se çfarë synohet të arrihet në kongresin e 19 marsit.

“Partia Socialiste ka hyrë në një fazë të re të jetës politike dhe të marrëdhënies së të zgjedhurve të PS me forumet dhe të gjithë ne me qytetarët. Ka anëtarësime të reja, kjo jo për të shtuar formalisht anëtarët e partisë, por për të shtuar kapacitetin tonë për të komunikuar me qytetarët dhe gjithashtu forumet po shndërrohen në hapësira të debatit politik për çfarë kemi bërë në qeverisje dhe ku do ta çojmë Shqipërinë nga sot deri në 2020. Ne besojmë që alternativa më e mirë qeverisëse bëhet duke komunikuar më mirë me qytetarët, më shumë sesa në opozitë, në qeverisje PS ka nevojë të komunikojë me qytetarët për të patur një sy dhe një vesh aty ku janë problemet dhe aty ku vjen zgjidhja për problemet. Kjo nuk është vetëm një fazë organizative, kjo është një mënyrë e re e të perceptuarit dhe të konceptuarit të marrëdhënies me forumet e PS dhe me qytetarët. Sot Shqipëria është në një fazë mjaft të rëndësishme për zhvillimet e vendit dhe të integrimit europian. Qeveria ka marrë një sërë reformash të cilat japin ndikim të menjëhershëm për qytetarët. Është shumë e domosdoshme që qytetarët dhe veçanërisht forumet e PS dhe çdo anëtar ta shohë këtë si një mundësi për të komunikuar. Ne, më shumë sesa anëtarësi, më shumë sesa performancë formale forumesh, po shtojmë mundësinë tonë për të komunikuar me qytetarët. Kjo ndodh në çdo lagje në Tiranë, në çdo cep të Shqipërisë. Anëtarësimet e reja janë një mundësi e jona për të vazhduar komunikimin me qytetarët dhe për ta ngritur atë në një nivel të ri që ka të bëjë me krijimin e aksionit tonë të përbashkët në qeverisje, por mbi të gjitha edhe në shoqëri, për ta bërë këtë vend me më shumë mirëqënie ekonomike, por mbi të gjitha për ta bërë këtë vend më të drejtë”, ka deklaruar Tahiri.

A do t’i propozohen kongresit ndryshimet për statutin e partisë?

“Asambleja Kombëtare ka përcaktuar ngritjen e dy grupeve të punës, një nga këto grupe merrem me rishikimin e normave statutore. PS ka një traditë goxha të vyer të rregullave demokratike të funksionimit brenda forumeve dhe është kjo arsyeja që çdo njëri nga të zgjedhurit apo çdo anëtar në PS ka një referencë që është kushtetuta jonë politike, që është statuti i PS. Statuti ama nuk është statik. Ai zhvillohet dhe ky është një fenomen që ndodh në gjithë botën. Personat me më shumë kontribut dhe përvojë në PS janë në këtë grup për të bërë statutin një qenie të gallë që i adoptohet sa më mirë jetesës dhe bashkëjetesës sonë politike brenda PS dhe mbi të gjitha marrëdhënies që duhet të kemi ne me qytetarët. Pa asnjë dyshim do të ketë ndryshime në statut, për ta bërë më demokratike PS, për ta bërë bashkëjetesën në parti elementin dhe gurin e themelit të vyer që kemi në PS dhe për të shtuar kapacitetin e komunikimit politik të forumeve me qytetarin”, ka thënë Tahiri.

Një ditë pasi Ben Blushi la të hapur mundësinë e kandidimit për kryetar partie, Saimir Tahiri shpreh mendimin se të gjitha forumet në PS, përfshirë kryetarin, duhet të përfshihen në zgjedhje. Por, sipas tij, ka ndryshim kur kryetari është kryeministër dhe për më tepër ka fituar dy herë rresht zgjedhje në rang kombëtar dhe lokal.

“Kjo varet nga propozimi që do të bëjë grupi i punës. Askush prej nesh nuk është indiferent dhe nuk është hata e madhe dhe po u ndryshua mënyra sesi zgjidhet kreytari i PS. Personalisht e shoh që as duhet të jetë çështje debati. E shoh një debat të tejkaluar dhe të panevojshëm për mënyrën sesi duhet të komunikojmë ne me qytetarët në këtë vend dhe nuk besoj se shton ndonjë argument më shumë si të shtojmë mirëqënien ekonomike, si të përshpejtojmë rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE, si ta bëjmë më të sigurtë vendin, si të përfshijmë sa më shumë qytetarë në zhvillimin e vendit, si të gjejmë zgjidhje në punësimin e të rinjve në vend”, ka nënvizuar Tahiri.

Për Tahirin, një nga ministrat më të rëndësishëm të kabinetit, por i njohur edhe për miqësi me Ben Blushin, debatet që hap kolegu i tij rebel janë jashtë realitetit politik në një kohë kur mazhoranca e majtë i ka fituar zgjedhjet në 2013 dhe 2015.

“Më duket një debat që nuk shton shumë në sfidat që ka sot Shqipëria dhe mbi të gjitha tek sfidat që ka qeverisja dhe maxhoranca. Sigurisht që ka mjaft përvoja, edhe ne në opozitë e zgjodhëm kryetarin me rregullin një anëtar një votë, që është shumë demokratike, por edhe unë besoj që kur je në qeverisje debati nuk është si zgjidhet kryetari i partisë. Debati është si votëbesohesh nga qytetarët. Unë nuk shoh ndonjë arsye përsa kohë kryetari i PS është kryeministër dhe votëbesohet nga qytetarët të mos ketë rregulla të diferencuara për konfirmimin e tij brenda partisë. Një mënyrë tjetër mund të jetë ajo me një procedurë tjetër votimi. Ky debat do të ishte i tillë nëse kryeministri do të humbiste zgjedhjet. Aty ka nevojë për debat. Unë hyj tek ata që besoj se nëse kryeministri humbet votëbesimin e qytetarëve, nuk ka asnjë mënyrë që të jetë më në krye të partisë. Deri në atë moment, debati është i tejkaluar besoj”, ka nënvizuar Tahiri.

Por, në çdo rast, socialistët kanë votuar për zgjedhjen e kryetarit të tyre me parimin demokratik një anëtar një votë, për herë të fundit në dhjetor 2012. A do të ketë një proces votimi në kongres? Tahiri e sheh këtë çështje, thjesht të karakterit teknik.

“Kjo është çështje e grupit të punës që po merret me ndryshimet në statut. Do të ketë një procedurë për konfirmimin ose jo të mandatit të kryetarit të partisë në PS. Kjo është çështje jo shumë themelore për mënyrën sesi duhet të bashkëpunojmë me publikun, për ta bërë Shqipërinë më të mirë. Përsa kohë qytetarët votojnë qeverinë, votojnë PS dhe kryetarin e PS, ky është votëbesim më i gjerë sesa votëbesimi i anëtarëve të PS, edhe nëse kjo bëhet me parimin një anëtar një votë apo me konfirmim në kongres, kjo është çështje proceduriale. Ajo që duhet të na shqetësojë më shumë është kapaciteti ynë në komunikimin me publikun dhe qytetarët sesa si zgjidhet kryetari. Garancia e fundit që duhet brenda partisë është që në momentin kur nuk fitojmë zgjedhjet. Në atë moment ka rëndësi nëse kryetari i partisë është më në detyrë apo jo dhe sigurisht që nëse kryetari i partisë humbet zgjedhjet, nuk është më në detyrë”, ka shtuar Tahiri.

Top Channel