Mashtrimet financiare online, AMF: S’ka arsye për shqetësim, por po hetojmë

27/01/2016 19:55

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare deklaron se ka denoncuar në organet hetimore 4 agjenci ilegale, që mashtrojnë qytetarët për të investuar në bursa. Kryetari i Bordit të AMF-së, Pajtim Melani sqaron se, të vetmet institucione që ushtrojnë këtë aktivitet nën mbikqyrjen e AMF-së në Shqipëri janë bankat e nivelit të dytë dhe dy kompani private.

“Bankat janë të liçencuara si kompani ‘brokerimi’, e veç tyre janë edhe dy shoqëri të tjera ndërmjetëse financiare, të cilat janë nën mbikëqyrjen dhe rregullimin e AMF-së. Në dijeninë tonë janë dhe 3-4 subjekte, të cilat mund të jenë platforma online që nuk kanë një bazë në Shqipëri. Ajo që ne kemi bërë për platformat e paliçencuara që kanë një degë në Shqipëri është njoftimi i autoriteteve homologe në vendet nga ato vijnë, si dhe njoftimi i autoriteteve vendase, konkretisht Krimin Ekonomik”, tha Pajtim Melani.

Por, pyetjeve nëse janë liçencuar operatorë, që orientojnë qytetarët në investime me risk të lartë dhe spekulativ dhe nëse ka akuza që ‘Stock International Albania’ është një prej tyre, kreu i bordit të AMF-së iu përgjigj:

“Detyrimi ynë është të miratojmë rregulla dhe rregullore për mbikëqyrjen dhe transparencën. Pastaj, detyra tjetër është për të parë portofolin e investimeve dhe çfarë produktesh kanë shkuar dhe si kanë qenë kthimet, sepse ata bëjnë një raportim të rregullt financiar pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Së treti kemi bashkëpunimin me të gjitha organet homologe, në rast se do të kishte një lloj shqetësimi. Ajo që ju adresoni, unë nuk di të ketë një rast konkret, të paktën në dijeninë time, një ankesë konkrete për këtë produkt pranë AMF-së, për subjektin e liçencuar që ju citoni”, tha Melani.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është organi përgjegjës që licencon dhe mbikëqyr këto kompani. Por përhapja e tyre ka krijuar shqetësime edhe tek autoritetet e tjera financiare, të cilat jo vetëm paralajmërojnë qytetarët për rreziqet, por kërkojnë edhe më shumë mbikëqyrje. “Për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për rrezikun që këto instrumente kanë. Investimet në tregjet e letrave me vlerë, sidomos ato ndërkombëtare, kërkojnë një analizë të thellë dhe nuk janë një investim aq i thjeshtë sa një depozitë bankare”, ka deklaruar Erjon Luci, zv.ministër i Financave.

Ajo që josh qytetarët për të kërkuar investime më të larta është trendi rënës i normave të interesit për depozitat, ambient nga i cili mesa duket kanë përfituar këto portale, që u kërkojnë qytetarëve të investojnë paratë e tyre në tituj dhe produkte me risk të lartë, kryesisht jashtë Shqipërisë.

Top Channel