A do t’i lëmë njerëzit në rrugë të madhe?

27/01/2016 00:00

Një shtëpi pa çati…një shtëpi në një kasolle, në një çadër, poshtë një ure, pranë një pallati, nën një tunel…një shtëpi në qiell të hapur.

Janë të shumtë njerëzit në Shqipëri që nuk kanë një adresë shtëpie për t‘iu dhënë të afërmve apo institucioneve sepse ata vazhdojnë të enden rrugëve vetëm apo edhe bashkë me pjesën tjetër të familjes. Rreziqet e ditë-natës së tyre janë të shumta përfshirë këtu edhe kushtet klimaterike që kanë kushtuar jetë fëmijësh…

Vendimet e Këshillit të Ministrave, neni 59 i Kushtetutës dhe as ligji për  programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane  nuk kanë arritur ende ta zgjidhin situatën.

Në vende të ndryshme të botës janë vënë në zbatim skema të ndryshme për strehimin social që prej kohësh shihet si e drejtë themelore e njeriut.

“Çdo njeri ka të drejtë për një nivel jetese të mjaftueshëm për shëndetin dhe mirëqenien e tij dhe të familjes së tij, duke përfshirë ushqimin, veshmbathjen, banesën, kujdesin mjekësor dhe shërbimet e nevojshme sociale, dhe të drejtën për të qenë i siguruar në rast sëmundjeje, papunësie, sëmundjes, paaftësisë, pleqërie dhe raste të tjera të jetesës në rrethana jashtë kontrollit të tij”, thuhet në deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.

Në Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore theksohet se shtetet palë të këtij pakti njohin të drejtën e secilit për një standard të përshtatshëm jetese, përfshirë këtu edhe strehimin. Po kështu edhe Komiteti Europian për të drejtat sociale ka përcaktuar standardet dhe detyrimet  për të drejtën e strehimit.

Në vitin 2002 Shqipëria ka ratifikuar Kartën Sociale Europiane, por duke lënë jashtë nenin 31 që parashikon marrjen e masave për strehimin, parandalimin dhe uljen e numrit t të pastrehëve me qëllim eliminimin gradual të tyre.

Top Channel