Kundërshtarët e Shqipërisë, Steaua nuk lejon 6 lojtarë të grumbullohen me Rumaninë

27/01/2016 00:00

Kombëtarja e Rumanisë, e cila bën pjesë në të njëjtin grup me Shqipërinë në Euro 2016, do të zhvillojë një turne stërvitor në Antalia të Turqisë nga 25 janari deri në 6 shkurt, kryesisht me futbollistë të kampionatit vendas që rinis në 13 shkurt.

Një prej klubeve që ka furnizuar gjithmonë me futbollistë kombëtaren rumune është Steaua e Bukureshtit, e cila në këtë rast është bërë pengesë për 6 lojtarë, të cilët janë thirrur nga trajneri i kombëtares rumune.

Florin Nita, Paul Papp, Nikushor Stanciu, Alin Toshka, Mihai Pintilli dhe Adrian Popa nuk janë lejuar nga trajneri i Steauas Laurentiu Reghecampf që të grumbullohen me kombëtaren, e cila në këtë grumbullim kishte parashikuar të zhvillonte edhe dy miqësore edhe pse jo me kundërshtarë të niveleve të larta, por nga klubeve si Torpedo Kutaisin dhe Zimbry të Kishinjevit.

Menjëherë pas bërjes publike të vendimit për mos lejimin e lojtarëve në këtë turne nga ana e Steauas ka plasur një debat i ashpër ndërmjet dy trajnerëve.

Madje, trajneri i Kombëtares Rumune, Iordanescu i ka kërkuar publikisht Federatës Rumune të dënojë Steauan për këtë gjest duke u bazuar në rregullin që detyron klubet të vënë në dispozicion të kombëtares lojtarët që marrin ftesa por deri më tani Presidenti i Federatës Burleanu ka hezituar që të veprojë.

Top Channel