Suedia do të dëbojë mbi 80 mijë refugjatë

28/01/2016 00:00

Suedia pritet që të dëbojë mbi 80 mijë azilkërkues, aplikimet e të cilëve janë refuzuar. Lajmi është dhënë nga ministri i Brendshëm suedez, Anders Ygeman.

Ai deklaroi se do të përdoren avionët çarter për të transportuar emigrantët brenda disa viteve. “Ne jemi duke folur për 60 mijë njerëz, por numri mund të shkojë deri në 80 mijë”, citohet të ketë thënë ministri nga mediat suedeze.

Suedia, që është shtëpia e 9.8 milionë banorëve, është një nga vendet e Bashkimit Europian që ka pranuar numrin më të madh të refugjatëve në raport me popullsinë e saj.

Rreth 163 mijë emigrantë aplikuan për azil në Suedi në vitin 2015, ndërsa nga 58 mijë e 800 aplikime të verifikuara, rreth 55% janë pranuar.

Megjithatë, numri i të ardhurve ka rënë në mënyrë të ndjeshme që kur ky vend miratoi një sistem të ri kontrolli në kufi më 4 janar. Ndërkohë, vrasja e 22-vjeçares nga një djalosh somalez ditë më parë në një qendër refugjatësh detyroi zyrtarët suedezë që të kërkojnë më shumë siguri në këto kampe dhe qendra.

Gjithsesi, deklaratat për dëbime nga Suedia erdhën në një kohë kur Europa nuk po arrin të përballojë fluksin e refugjatëve të cilin nuk po e ndalin as temperaturat poshtë zeros.

Kombet e Bashkuara deklaruan se më shumë se 46 mijë njerëz kanë arritur në Greqi vetëm këtë vit, ndërsa mbi 170 të tjerë kanë humbur jetën.

Top Channel