Llalla: Reforma në drejtësi do diskutohet në nivele më të larta

28/01/2016 00:00

Kryeprokurori Adriatik Llalla ka folur këtë të enjte për reformën në drejtësi dhe ndërprerjen e mandatit që parashikohet në draftin e saj.

”Reforma në drejtësi do të diskutohet në nivele më të larta”, ka thënë Llalla.

Duke nënvizuar se, lufta kundër korrupsionit është prioritet i prokurorisë, Llalla ka bërë me dije se, “prokuroria ka filluar hetime për zyrtarë të lartë”.

Këto deklarata, numri 1 i organit qendror të akuzës i ka bërë nga Korça, ku ka marrë pjesë në analizën vjetore të prokurorive në nivel Apeli.

Në fokus të kësaj analize ka qenë bashkëpunimi mes institucioneve, një nevojë kjo jetike, sipas kryeprokurorit, për të arritur sukses në luftën kundër krimit.

“Për të luftuar krimin është i nevojshëm bashkëpunimi me institucionet e tjera, ndaj duhet të gjemë mundësi të reja për shkëmbimin e informacioneve mes institucioneve”, deklaroi Llalla.

Një nga vërejtjet e tij ishte se, në prokurorinë e Korçës dhe Pogradecit ka një numër të madh pezullimesh të çështjeve.

Për këtë arsye, Llalla iu bëri thirrje prokurorëve që, “të zhvilloni analiza periodike me institucionet e tjera ligjzbatuese”. 

Top Channel