Kundërshtohen amendimet e Serbisë, Prishtina: S’pranohet rikthimi i kompetencave të UNMIK

28/01/2016 00:00

Këshilli i Europës është mbledhur në një takim për të shqyrtuar dhe miratuar një rezolutë të re për zhvillimet e fundit në Kosovë.

Kjo rezolutë, për shkak të disa amendamenteve të sponsorizuara nga Serbia, pritet të rrisë presionin mbi Prishtinën zyrtare për të formuar sa më parë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ndërsa parashikon gjithashtu vazhdimin e rolit të UNMIK-ut në Kosovë, sa i takon bashkëpunimit me INTERPOL-in dhe EUROPOL-in, ku Kosova ende nuk është anëtarësuar.

Para fillimit të seancës së votimit, Top Channel mëson se është mbajtur mbledhja e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci, ku janë shqyrtuar edhe diss amendamente të rezolutës që i ka hartuar pala kosovare, të cilat i ka paraqitur Shqipëria. Por ato janë refuzuar.

Delegacioni i Kosovës, i përbërë nga nënkryetarët e Kuvendit, Xhavit Haliti dhe Aida Dërguti, nuk është lejuar të flasë për amendamentet e paraqitura, pasi Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Europës dhe për shkak se, në këtë mbledhje mungonte raportuesi për Kosovën në KiE, Agustin Conde, i cili është nga Spanja dhe i përket grupit të Partive Popullore Europiane.

Ndërkohë që zyra e Shqipërisë në Këshillin e Europës njofton se, në amendimet e propozuara nga pala kosovare, kjo e fundit ka kërkuar heqjen e amendamentave të kërkuara nga Serbia për rolin e UNMIK-ut, si dhe ka kërkuar fuqimisht evidentimin e rolit të autoriteteve të Kosovës, pasi për bashkëpunimin me EUROPOL-in, veçanërisht, ka kompetenca Policia e Kosovës dhe EULEX-i.

Këto qëndrime janë hartuar nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, Valentina Leskaj, Oerd Bylykbashi, Petrit Vasili, Namik Dokle, në bashkëpunim të ngushtë me deputetët e Kuvendit të Kosovës. Sipas këtij njoftimi, qëndrimi dhe qasja e Shqipërisë është mbeshtetur dhe ka marrë miratimin e parlamentarëve britanikë, suedezë, gjermanë, hungarezë, turq, luksemburgas, etj.

Në raportin e Conde, 4 amendamentet që i ka propozuar Serbia janë si më poshtë:

Pika 7.4 e rezolutës e detyron Kosovën, që t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet që dalin nga dialogu, i cili zhvillohet mes Beogradit dhe Prishtinës, e në veçanti të zbatojë marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Pika 7.5.4 e detyron Kosovën për të siguruar mbrojtjen e tërë trashëgimisë kulturore të komuniteteve jo-shumicë, pavarësisht refuzimit për anëtarësim në UNESCO.

Pika 8 e rezolutës inkurajon UNMIK-un për të forcuar bashkëpunimin me INTERPOL-in dhe EUROPOL-in, si dhe inkurajon autoritetet në Prishtinë që t’i përdorin mekanizmat në dispozicion, të cilët janë tashmë të gatshëm.

Pika e fundit, më e ndjeshme në këtë rezolutë, është që Kosova të rrisë bashkëpunimin për shpërbërjen e rrjeteve kriminale ndërkomëbtare që veprojnë në rajon dhe të bëjë përparim në çështjen e personave të pagjetur, duke lehtësuar hetimet dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës.

Në raportin para amendamenteve të rezolutës, raportuesi për Kosovën, Agustin Conde vlerëson disa nga zhvillimet politike në Kosovë, pas vizitës që ai zhvilloi në tetor të vitit 2015, ndërsa ka dënuar veprimet e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel