Marrëveshja me BERZH; PD voton kundër: Alarm për rritjen e borxhit

28/01/2016 00:00

Opozita votoi kundër marrëveshjes së huasë me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për dixhitalizimin e shërbimeve në vlerën e mbi 29 milionë eurove.

Demokratët e shpjeguan këtë votim si kambanë alarmi ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore për rritjen e borxhit.

“Po merret borxh për luksin e zyrave të qeverisë dhe për tualetet e ministrive. Jam i bindur që ajo që prodhohet në tualetet e qeverisë nuk gjeneron asnjë të ardhur”, tha Paloka.

“Në qoftë se dy institucione e vlerësojnë se ky borxh dhe e gjithë ekspertiza që na është paraqitur përpara vlerëson që ky borxh jep një efekt pozitiv në shërbime i transformuar pastaj në ekonomi, në cilësi, në shërbime ndaj qytetarëve, hajde ta mbështesim atë”, deklaroi
 
Parlamenti miratoi marrëveshjen financiare me BERZH për mbështetjen e bujqësisë. Mazhoranca rrëzoi ndërkaq amendamentin e Jozefina Topallit për zgjatjen e afatit të ligjit të pronave miratuar nga qeveria “Berisha”.

“Jozefina Topalli ka kthyer prona për familjen e vet në vlerë prej 5.7 milionë dollarë . Ata që janë latifondistë dhe e përdorin votën në Parlament kur u duhet dhe pushtetin për të kthyer pronat e veta, të paktën kur të flitet për prona mos të flasin. Latifondistja Jozefinë, latifondisti Bujar dhe të tjerë me radhe i kanë marrë pronat e tyre dhe këtu qajnë me lot krokodili për t’ju kthyer pronat ish-pronarëve”, tha Balla.

“Tash ti mbylle gojën. Ti vjen nga fshatrat më të humbura të Librazhdit . Ti ke lind në një kasolle dhe je ndër më të pasurit sot. Do të më thuash pak pse ti je i pasur dhe të tjerë që kanë lindur në kasolle, për të cilët më vjen shumë keq, nuk janë pasuruar si ti? Në karrigen time si kryetare e Parlamentit, familja ime nuk ka marrë pronat e saj sepse nuk kam dashur të shfrytëzoj karrigen e kryetares së Parlamentit, por ti nuk mund ta imagjinosh një gjë të tillë”, iu kundërpërgjigj Jozefina Topalli.

PD: Rama po dorëzon shtetin tek mafia

Opozita riktheu vëmendjen tek koncesionet e qeverisë në seancën e kësaj të enjteje në Kuvend. Deputeti Florion Mima akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama se po dorëzon shtetin tek mafia.

Mima u ndal fillimisht tek koncesioni i TVSH-së, që qeveria e quan Partneritet Publik Privat. Ai tha se ngritja e platformës së re mund të bëhet fare lehtë nga shteti pa qenë nevoja që t’i jepet privatit me koncesion.

Deputeti demokrat akuzoi kryeministrin Rama si të kapur nga mafia dhe se po i dorëzon asaj shërbimet shtetërore një nga një.

“Në majë të piramidës koncesionuese qëndron kryeministri i vendit. Strategjia e tij ka qenë e qartë që në fillim. Kryeministri është dorëzues në dorë të mafias që e ka vendosur aty. Nuk duhet të habitemi që në ditët në vijim të dorëzojë tek mafia edhe shërbimin diplomatik, burgjet etj etj”, deklaroi Mima.

Mima deklaroi se dëmi që i shkaktohet buxhetit të shtetit nga këto koncesione kap shifrën e 700 mln eurove. 

Ndërkohë, deputeti tjetër i PD, Flamur Noka, bëri një dallim, sipas tij, mes koncesioneve të lëshuara nga qeveria e mëparshme dhe kjo aktuale.

“Koncesionet në kohën e Berishës jepeshin me të drejtën për të investuar, punuar dhe më pas për të fituar. Koncesionet sot konceptohen si e drejtë për të fituar pa punuar dhe për të vjedhur pa punuar”, tha ai.

Reforma në drejtësi, Ruçi-Berishës: Venecia foli qartë

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramo Ruçi u është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Berisha se PS po tenton të sabotojë reformën në drejtësi.

“Çfarë po kërkon, po kërkon Pazar? Komisioni i Venecias foli qartë: reforma është domosdoshmëri, duhet bërë sa më shpejt. Foli qartë: punë e lavdërueshme e komisionit parlmanetar dhe shumë ekselente e ekspertëve të nivelit të lartë shqiptarë. Ti sot sulmove komisionin dhe ekspertët”, i është drejtuar Ruçi-Berishës.

Nëse duam reformë në drejtësi, vijoi shefi i socialistëve, në radhë të parë duhet të përulemi. “Nëse do bëjmë reformë dhe do hiqen të inkriminuarit, atëherë duhet të jetë një kontigjent i pastër që ta udhëheqë këtë”, ka thënë Ruçi.

“Duhet konsensus për të bërë një reformë sipas standardeve, siç erdhën përfundimet paraprake dhe si do të vijë raporti përfundimtar i Venecias”, ka thënë më tej Ruçi.

Berisha: Rama, armiku kryesor i reformës në drejtësi

Ish-kryeministri Sali Berisha, duke folur në seancën parlamentare ka akuzuar mazhorancën dhe në veçanti kryeministrin Rama se po pengon reformën në drejtësi.

“Njeriu që saboton reformën në drejtësi është Edi Rama. Këtë e them bazuar në fakte të pakundërshtueshme. Njeriu që mashtron shqiptarët duke thënë se po bën reforma është Edi Rama”, ka deklaruar Berisha.

Drafti i Komisionit të Venecias, është shprehur ish-kryeministri, “nuk thotë, prokuror Edi Rama dhe gjyqtar Edi Rama”.

Gjithashtu, Berisha ka akuzuar Ramën se po vonon edhe ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit sepse i druhet hetimeve mbi aferat e tij korruptive.

“Byroja e Hetimit do fillojë me ndërtimin e Surrelit dhe me pallatin 5-katësh. Por reforma do të bëhet, se nuk mund të vazhdohet me mashtrime”, ka thënë më tej Berisha.

Rama: Do thellojmë partneritetin publik-privat

Kryeministri Edi Rama, duke marrë fjalën në seancën plenare të kësaj të enjteje ka mbrojtur politikat e qeverisë në ekonomi dhe ka nënvizuar se ekzekutivi do të rrisë bashkëpunimin publik-privat.

Në fjalën e tij, Rama ka vënë në dukje se ky opsion, që synon të rrisë cilësinë e shërbimit në shëndetësi dhe sektorë të tjerë, është promovuar së fundmi edhe nga Banka Botërore.

“Rasti në fjalë ka qenë në Brazil dhe ka qenë një histori suksesi. Ne do vijojmë me këmbëngulje ta zgjerojmë bashkëpunimin me sipërmarrjen në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimeve”, ka thënë Rama.

Sipas tij, ky partneritet do të japë efekte edhe sa u takon investimeve. “Nëse ne nuk rrisim borxhin, por përkundrazi ka një trend në ulje; nëse nuk rrisim taksat, por përkundrazi ka një trend në ulje, atëherë rruga e tretë për përmirësimin e investimeve në funksion të përmirësimit të shërbimeve është partneriteti publik-privat”, ka thënë Rama.

“Kjo nuk është shpikja jonë, por Shqipëria është e fundit në rajon dhe Evropë për zbatimin e këtij partneriteti. Kjo është një politikë e qartë dhe e mirëpërcaktuar”, ka shtuar kryeministri.

Më tej ai u është përgjigjur akuzave të opozitës për konçesionet duke i kujtuar konçesionet e saj kur ishte në pushtet. “Të mos harrojmë konçesionin e skanimit të konteinerëve, për hidrocentralet, për kontrollin e automjeteve, etj”, ka vijuar Rama.

Ai ka folur edhe për raportin e Transparency International për luftën kundër korrupsionit, “që e vendos Shqipërinë në një vend shumë më të mirë se një vit më parë”.

“Ju që akuzoni vazhdoni të jeni jo opozita, por qeveria e vjetër, që çdo vit keni ulur në mënyrë brutale dinjitetin dhe imazhin e vendit. Reformat kanë nisur të japin rezultate në luftën kundër korrupsionit, që do të mbetet një luftë e qeverisë për të ndërtuar shtet”, ka thënë Rama.

Më tej ai u është përgjigjur edhe akuzave të ish-kryeministrit Berisha, i cili sipas tij, “është i vetmi stalinist që ka mbetur në Europë, ndaj dhe gjuetinë e shtrigave e ka në plan të parë”.

Sa u takon akuzave të bëra për check up-in, Rama ka sqaruar se, “check up-i nuk bën analiza”. “Gara e bërë nga qeveria synonte verifikimin e një kompanie që të kishte një rrjet distribucioni në gjithë Shqipërinë, në mënyrë që të bëhet shpërndarja e bazës shëndetësore. Në Shqipëri ka 4 kompani që e bëjnë këtë”, ka thënë Rama.

Sa për reformën në drejtësi, kreu i qeverisë ka thënë se, “kush e saboton do të marrë një përgjigje si asnjëherë më parë”.

Vokshi: Partneriteti me korrupsionin, busulla e kryeministrit

Deklaratave të kryeministrit Rama për konçesionet i është përgjigjur deputetja e PD, Albana Vokshi, e cila është paditur nga kryeministri për shpifje.

“Partneriteti me korrupsionin është busulla e këtij kryeministri, pa asnjë njohuri në ekonomi dhe me eksperiencën e 20-përqindëshit, i cili po ia u jep ekonominë donatorëve që i blenë partinë”, ka deklaruar Vokshi.

Sipas saj, në këto dy vjet qeveria e majtë ka rritur varfërinë për 95 për qind të shqiptarëve dhe ka rritur oligarkinë për qarqet pranë saj.

“Rekomandimet e forumit të Davosit, që propozoi rritjen e investimeve publike, uljen e korrupsionit dhe kontrabandës për uljen e hendekut mes të pasurve dhe të varfërve janë rrugë të pashkelura nga qeveria, që ka ulur investimet publike dhe ka stopuar rritjen e rrogave dhe pensioneve”, ka thënë më tej Vokshi.

Rritja e numrit të azilkërkuesve ka qenë një tjetër pikë e prekur nga deputetja e opozitës. “Nga 2014 në 2015 numri i kërkesave për azil nga 4.500 është rritur në 25 mijë. Cfarë ka bërë qeveria për këtë? Sigurisht, asgjë”, ka thënë ajo.

Vokshi, e cila është paditur nga kryeministri për shpifje, ka shtuar: “Mezi pres të përballemi publikisht për të bërë transparencë për ato koncesione që kemi përmendur dhe ato që ju nuk përmendni”.

Beqaj: Mjeku në familje, tashmë falas për shqiptarët

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, duke marrë fjalën në seancë plenare ka deklaruar se qeveria ka hedhur hapin e parë në ofrimin e shërbimit shëndetësor falas.

“Që nga dje, mjeku i familjes ofrohet falas për këdo që jeton në Shqipëri. Nuk ka qenë kështu deri pardje, me atë pseudo-reformën tuaj”, ka thënë Beqaj duke iu drejtuar opozitës.

Duke iu përgjigjur akuzave të bëra në adresë të tij për konçesionet, Beqaj ka thënë se, “Në shëndetësi nuk ka konçesione dhe nuk ka kontrata më të gjata se 4 vjet”.

“Partneriteti me privatin do të vazhdojë”, ka pohuar Beqaj, duke shtuar se qeveria po bashkëpunon me kompani të huaja prestigjoze.

Më tej Beqaj e ka vënë theksin tek nevoja e përmirësimit të shërbimeve shëndetësore, duke nënvizuar se, “në vend ka një shkallë të lartë pazbulueshmërie të sëmundjeve”.

Ahmetaj: Rritja ekonomike, trend pozitiv. Investimet e huaja në rritje

Duke folur në seancën parlamentare të kësaj të enjteje, ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj u është përgjigjur akuzave të opozitës për korrupsion me konçesionet dhe për vendimmarrje që sipas saj kanë dëmtuar ekonominë.

“Raporti i fundit i Bankës Qendrore për 9-mujorin, tregon që ka një rritje të tregtisë me pakicë me 7.6 % dhe një rritje të konsumit gati 2%. Është një tremujor i cili konfirmon rritjen ekonomike dhe trendin e rritjes ekonomike. Pra, janë shifra që askush nuk mund t’i manipulojë dot përtej nesh këtu apo dhe përtej nesh jashtë këtyre mureve, sado të dojë të promovojë një qeveri, apo sado cinik të jetë ndaj një qeverie dhe ndaj rritjes ekonomike”, ka thënë Ahmetaj.

“Shifra 3 për qind është e konfirmuar zyrtarisht nga Banka Qendrore në tremujorin e tretë dhe në tremujorin e dytë. Rritja ka trendin që në fund të vitit 2015 të jetë 2.75 %, gjë që konfirmon trendin rritës, konsolidimin e ekonomisë dhe të shumë sektorëve. Ka sektorë të cilët kanë lënguar me vite siç është sektori i ndërtimit që për herë të parë po njeh rritje në vitin 2015”, ka shtuar ministri.

Ai u është përgjigjur edhe akuzave për rënien e investimeve të huaja si pasojë e keqqeverisjes. “Investimet e huaja do të kalojnë mbi 450 milionë euro. Pavarësisht manipulimeve të qëllimshme dhe sulmeve ndaj investitorëve të huaj, shifrat flasin ndryshe”, ka thënë Ahmetaj.

“Shqiptarët kanë besim tek ekonomia shqiptare dhe tek monedha e vendit dhe rritja e ekonomisë konsumatore është 5.2 për qind”, ka shtuar ministri i Ekonomisë.

Top Channel