Gjermani, ngjarjet e Këlnit shtojnë shitjet e armëve për vetëmbrojtje

28/01/2016 00:00

Që prej sulmeve seksuale të Këlnit, në Gjermani janë rritur ndjeshëm kërkesat e lejeve për të mbajtur një armë, ashtu siç janë shtuar pretendimet dhe ofertat për kurse të vetëmbrojtjes.

Njerëzit nuk ndihen të sigurtë, përndryshe nuk do të blinin kaq shumë armë, citojnë mediat vendase një shitës nga Vestfalia, i cili rrëfen se bashkë me kolegët e tij është duke shitur mesatarisht tri herë më shumë armë se më parë.

Këlni, Dyseldorfi dhe Frankfurti raportojnë që të gjithë një fluks të paprecedentë pretendimesh për armëmbajtje. Policia e Këlnit ka marrë 304 aplikime pas 1 janarit, në një kohë kur numri i tyre përgjatë gjithë vitit 2015 ka qenë gjithsej 408. Tani nuk ka ditë që të mos nisë me të paktën 13 aplikime që në mëngjes, thonë zyrtarë të Policisë në Frankfurt. Një vit më parë, dita çelej me vetëm dy kërkesa të tilla.

Gjermania ka ligje të rrepta në këtë drejtim. Janë 5 kritere që duhen plotësuar, përpara se të lëshohet leja për të mbajtur një armë zjarri. Personi duhet të jetë mbi 18 vjeç, të konsiderohet i besueshëm, të ketë të dhëna të pastra personale, të njohë armën, e të tregojë se zotërimi i saj për këtë individ është domosdoshmëri.

Personat e dënuar më parë, ata me probleme të shëndetit mendor, si dhe ata që konsiderohen si të papërshtatshëm për shkak të varësisë ndaj drogave apo një të shkuare të dhunshme, nuk pajisen me leje të tilla.

Sidoqoftë, me një “leje për armë të vogël” lejohet edhe blerja e pistoletave “për frikësim”. Ato mund të mbahen me vete edhe jashtë shtëpisë. Kërkesa për një armë të tillë kushton 50 deri 60 euro, e në këtë rast nuk nevojitet shpjegim e as njohuri paraprake, sikurse për armët e gjahut. Zyrtarët vërejnë se, Facebook-u dhe rrjetet e tjera sociale kanë ndikuar në përhapjen e frikës, e kjo ka sjellë për pasojë atë që përshkruhet si: “blerje paniku të armëve të të gjitha llojeve”.

Top Channel