Dita e privatësisë, konferencë për mbrojtjen e të dhënave personale

28/01/2016 00:00

Në Ditën Ndërkombëtare të Privatësisë, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka mbajtur një konferencë vjetore me temë “Alternativa e fuqizimit të privatësisë”.

Kryeshefi i kësaj agjencie, Ruzhdi Jashari vlerësoi si sukses të madh anëtarësimin në mekanizma ndërkombëtarë, ndërsa sfidë për mbrojtjen e privatësisë – sipas tij, – janë pajisjet e reja të teknologjisë informative.

“Jemi të vetëdijshëm se koha e globalizmit dhe revolucioni i pajisjeve të automatizimit, duke filluar nga pajisjet statike, deri tek ato portative të mundshëm, të lidhura me makinën kërkuese të internetit, sot paraqesin sfidën e shekullit për të dhënat personale”, tha Ruzhdi Jashari, kryeshef i AMDP.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, tha me këtë rast se, edhe pas zbatimit të projekteve për pajisjen e shkollave me kamera, privatësia respektohet.

“Krahas vendosjes së kamerave, ne respektojmë parimin e privatësisë dhe funksionalitetit, ndaj dhe kemi vendosur një standard të ruajtjes së kësaj privatësie”, tha Arsim Bajrami, ministër i MASHT.

Ndërsa shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger tha se, kjo agjenci ka rezultuar me suksese në të gjitha punët dhe se ka krijuar një balancim për mbrojtjen, ndërmjet atyre të dhënave që duhet të jenë private dhe atyre që duhet të publikohen.

Top Channel