Zjarri shkrumbon banesat e komunitetit rom, tensione në zonën e Shkozës

28/01/2016 13:40

Një zjarr i fuqishëm ka rënë paraditen e kësaj të enjteje në banesat e komunitetit rom në zonën e Shkozës, në Tiranë.

Nga të dhënat e fundit rezulton se zjarrfikësit arritën të vinin nën kontroll flakët. Ndërsa më pas ka pasur edhe protesta nga banorët.

Autoritetet komunikojnë se, zjarri ka shkaktuar dëme materiale në shumë shtëpi, por për fat të mirë jo në njerëz.

Në vendin e ngjarjes shkoi edhe Avokati i Popullit, Igli Totozani, i cili foli për mediat duke thënë se duhet gjetur një zgjidhje emergjente për 9 familjet rome. “Është një grup në risk, që jeton në kushte ekstremisht të vështira”, tha Totozani.

Pas Avokatit të Popullit në vendngjarje mbërriti edhe kreu i këshilltarëve demokratë në Bashkinë e Tiranës, Leonard Olli, i cili i bëri thirrje banorëve që të ruajnë gjakftohtësinë.

“E mirëkuptoj zemërimin e banorëve, por duhet të ruajnë gjakftohtësinë. Ne nuk jemi këtu për të prodhuar politikë, këtu duhet të ishte vetë Erion Veliaj sepse situata është mëse e vështirë. Zemërimi i banorëve është mjaft i qartë, duhet të punohet për rekuperimin e dëmeve. Kemi të bëjmë me probleme të mbartura dhe ka autoritete qendrore e vendore që duhet të zgjidhin situatën”, tha Olli.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Bashkia e Tiranës. Bashkia thotë se çadrat e ofruara prej saj janë një zgjidhje e përkohshme, ndërsa janë marrë të gjitha masat për normalizimin e situatës.

Bashkia e Tiranës fton të gjithë banorët që u janë djegur banesat që të strehohen përkohësisht në këto çadra.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel