80-vjetori i Kadaresë, botuesi Hudhri: Restaurimi i shtëpisë muze, i vonuar

28/01/2016 00:00

Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, botuesi i tij Bujar Hudhri do të sjellë për lexuesin shqiptar botime të reja.

“Onufri” sapo ka nxjerrë nga shtypi disa vepra në formate të vogla, ndërkohë që po përgatit në 7 vëllime botimin e plotë të krijimtarisë së Kadaresë.

I ftuar në programin e mëngjesit “Wake Up”, Hudhri është ndalur edhe te festimet që do të mbahen në Shqipëri përgjatë 2016-s, duke theksuar se përurimi i shtëpisë muze është i vonuar, çfarë e ka brengosur Kadarenë përgjatë 20 viteve.

“Më kujtohet një intervistë, më duket e ish-kryeministrit Meksi, kur në vitin 1996 takonte në Gjirokastër ish-kryetarin e bashkisë, Bashkim Fino, të cilit i thoshte ‘tani kemi filluar restaurimin e shtëpisë së Kadaresë’. Pra e kuptoni, 20 vite më parë… Ky ka qenë trishtimi më i madh i Kadaresë, sepse shtëpia e tij është në disa vepra të tijat dhe çdo lexues i tij duket sikur ka qenë në shtëpinë e tij”, është shprehur botuesi Bujar Hudhri.

Viti 2016 është shpallur si “Viti i Kadaresë”, e me këtë rast, Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Gjirokastrës do të çelin disa ekspozita, e do të zhvillojnë një sërë aktivitetesh, me qëllim nxitjen e leximit të veprave të shkrimtarit më të njohur të letrave shqipe.

Top Channel