Tiranë, Rrugorja nis sensibilizimin e këmbësorëve. Më pas gjobat

28/01/2016 00:00

Policia Rrugore e Tiranës ka nisur një fushatë sensibilizuese, që synon edukimin e këmbësorëve për të kaluar te vijat e bardha. Nisma vjen në një kohë kur me Kodin e ri Rrugor, këmbësorët penalizohen me gjoba, në rast të mosrespektimit të rregullave të qarkullimit, si përdorues të rrugës.

“Policia e Qarkullimit Rrugor po merr masa për sensibilizimin e qytetarëve, duke parë që shërbimet janë shtrirë në të gjithë segmentin rrugor “Dritan Hoxha”. Kjo nismë do të vazhdojë derisa këta qytetarë të ndërgjegjësohen dhe të ecin sipas kritereve dhe parametrave rrugore”, tha Herman Erindi, shef i Trafikut, Tiranë.

Shefi i Trafikut në kryeqytet, Herman Erindi paralajmëron se këshillimi i këmbësorëve do të vijojë deri në përfundim të kësaj jave. Më pas do të nisë penalizimi i tyre me gjoba, që variojnë nga 500 deri në 2 mijë lekë.

“Deri në fundjavë do të vazhdojmë me këtë nismë. Duke përfshirë edhe të shtunën e të dielën, dy ditë pushimi, shërbimet e Qarkullimit Rrugor do të jetë në terren për sensibilizimin e qytetarëve me këshillime. Më pas do të operojmë me masat ndëshkimore, nga 500 deri në 2000 lekë”, vijoi më tej Herman Erindi.

E paqartë në Kodin e ri Rrugor mbetet mënyra e vjeljes së gjobave, që do t’u vihen këmbësorëve, ndërsa penalizimi i tyre shikohet si domosdoshmëri, pasi në bazë të statistikave të vitit 2015, ata rezultojnë burim i 40% të numrit total të aksidenteve me pasoja të rënda për jetën.

Top Channel