Debate për koncesionet në Kuvend, PD akuzon qeverinë. Rama: Po përbaltni bizneset

28/01/2016 00:00

Debatet për koncesionet dhe partneritetin privat-publik dominuan një pjesë të mirë të seancës parlamentare këtë të enjte. Opozita akuzoi qeverinë se ka ngritur një skemë abuzuese, ku do të përfitojnë 70 kompani në koncesione të ndryshme.

“Ministria e Ekonomisë ka përgatitur një paketë me rreth 70 koncesione për t’ia dhënë sektorit privat, vlera totale e të cilave kap shumën 3 miliardë eurove. Proceset e dhënies së koncesioneve deri më sot kanë qenë jotransparente, të mbyllura dhe të paracaktuara, duke nxjerrë si fitues njerëz afër qeverisë dhe kryeministrit, e për më keq, kanë krijuar monopole në sektorët ku janë dhënë”, tha Edmond Spaho.

Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj iu referua akuzave të opozitës për hidrocentralin e Skavicës, ndërsa tha se fusha e energjisë ishte ajo, në të cilën qeveria e të djathtëve dha 161 koncesione.

“Janë 161 koncesione që keni bërë në energji, nga të cilat vetëm një e treta funksionon, e që kanë shkatërruar buxhetin e shtetit me domosdoshmëri dhe nevojë për garanci buxhetore. Dhe mbi të gjitha, nuk kanë ulur asnjë çmim energjie”, tha ministri Ahmetaj.

Kreu i qeverisë, Edi Rama u ndal te koncesioni i “check up”-it, që e cilësoi si bazën e uljes së kostove në shëndetësi.

“Është statistikisht e botërisht e miratuar. Parandalimi kursen gjithmonë më shumë sesa dyfishin”, tha kryeministri Rama.

Ndërsa mbi kompaninë, që u shpall fituese për tenderin e hemodializës, sipas tij është bërë një përbaltje e pashembullt.

“Kjo kompani ka 2,2 milionë dollarë xhiro në 2014-n. Pse ka shkuar në Berat? Është njësoj si t’iu kërkojmë llogari juve pse keni ardhur në Tiranë”, deklaroi Rama.

Top Channel