Krijimi i Byrosë së Hetimit, Berisha: Rama po e bllokon. Paraprin Tahiri

28/01/2016 00:00

Në emër të opozitës, ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi në Kuvend mazhorancën, se po bllokon krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

“Njeriu që po mban peng Byronë Kombëtare të Hetimit e ka emrin Edi Rama. Gënjen të tjerët, kur thotë se ma bllokon Ylli Manjani. Ylli Manjani pranon formën, të cilën e ka sugjeruar Komisioni i Venecias”, tha Berisha.

Berisha, nga foltorja e Parlamentit nuk ka ngurruar ta përdorë Byronë, si një diversion mes Ramës dhe ministrit Manjani.

“Zotëri kryeministër ka një rregull, por ti s’je kryeministër. Ministrit që nuk zbaton vullnetin e kryeministrit i thuhet mirupafshim. Si thua dot, sepse ti e do për veten tënde Byronë”, tha Berisha.

Por Saimir Tahiri ishte një hap përpara këtyre deklarimeve të Berishës. Përpara nisjes së seancës, duke përdorur një term nga fusha e mekaninës, Tahiri shpjegoi vonesat.

“Edhe Byroja Kombëtare e Hetimit, që është një propozim i kryeministrit dhe i qeverisë, do të shtojë mundësinë tonë për të luftuar korrupsionin në nivelet e larta. Kjo është ende në koalidimet finale dhe ndjek një proces të tërë. Nuk ka asnjë arsye për të besuar se zgjatja e kohës, që është mëse e arsyeshme për shkak të procesit, do ta dëmtojë produktin”, tha Tahiri.

Spartak Braho, truri i çështjeve juridike në LSI, i pohoi Top Channel se nuk e kuptonte vonesën dhe përse ka mbetur vetëm në nivel fjalësh.

“Unë dhe LSI kemi qenë mbështetës të kësaj Byroje – theksoi Braho, – duke i sugjeruar mazhorancës së tij nevojën e angazhimit serioz”.

Por Braho ka një qëndrim ndryshe nga propozimi i ekspertëve të nivelit të lartë, të cilët në draftin dërguar ‘Venecias’ thonë se, Byroja duhet të sanksionohet në Kushtetutë.

“BKH nuk ka nevojë për ndryshimet kushtetuese. Mund të bëhet një ligj i posaçëm, mbi të cilin ajo duhet të funksionojë, si strukturë pranë Prokurorisë dhe Ministrisë së Brendshme”, tha Braho.

TCH: A ka politikanë, që i frikësohen ngritjes së kësaj njësie?

“Them se po. Vetëm mos më pyet për emra, se emra di, por ligji i dekriminalizimit do t’i seleksionojë”, përfundoi Braho.

Top Channel