Kosovë, mblidhet Këshilli për Komunitetet; raportohen problemet e pakicave

28/01/2016 00:00

Të enjten është mbajtur mbledhja e parë për vitin 2016 e Këshillit Konsultativ për Komunitete, pranë zyrës së Presidentes së Kosovës.

Në këtë takim, kryesuesit e grupeve të punës raportuan lidhur me aktivitetet, të cilat janë zhvilluar gjatë muajit janar, duke paraqitur shqetësimet e komuniteteve që gjithsecili prej tyre përfaqëson.

“Kemi probleme të shumta. Siç u theksua në takim, ka probleme me tekstet mësimore. Komuniteti serb ka probleme me sigurinë. Kryetari i grupit të punës për çështjet e arsimit diskutoi lidhur me çështjen e teksteve dhe arsimit parashkollor në komunën e Prishtinës. Gjithashtu, përfaqësuesi i komunitetit egjiptian paraqiti edhe një rast, që ka ndodhur në komunën e Gjakovës. Janë edhe probleme të tjera, të paraqitura nga përfaqësuesit e komuniteteve të përfaqësuara në Këshill dhe që ne mundohemi t’i trajtojmë, për t’i adresuar më pas me anë të rekomandimeve”, tha Darko Dimitrieviç, kryesues i Këshillit Konsultativ për Komunitete.

Kryetari Darko Dimitrieviç e ka vlerësuar si të dobishme mbledhjen, pasi – siç tha ai, – u paraqitën problemet me të cilat ballafaqohen komunitetet pakicë në Kosovë.

Këshilli Konsultativ për Komunitete është i fokusuar në aspektet ligjore dhe respektimin e të drejtave të komuniteteve jo shumicë në Kosovë.

Top Channel