Kardiologjia, në grevë. Kundërshtohen hetimet për ryshfet e shpërdorim detyre

28/01/2016 00:00

Shëndetësia e Kosovës po tronditet nga një skandal, pasi Prokuroria Speciale ka konfirmuar se po heton mbi 100 punonjës shëndetësie, shumica prej të cilëve kardiologë, të cilët dyshohen se u kanë vënë pacientëve “Bypass”-e të panevojshme, në operacione që janë kryer në spitale private.

Të enjten, dhjetëra dëshmitarë janë paraqitur në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshmi.

Burime të Top Channel brenda Prokurorisë Speciale kanë bërë të ditur se, në të paktën një rast nga dëshmitë e marra, një dëshmitare ka treguar se në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës i ishte thënë se, i ati do t’i vdiste për 45 minuta nëse nuk bënte ndërhyrje për vendosjen e dy “Bypass”-eve në zemër. Sipas dëshmisë së vajzës, kardiologu i këtij rasti – që tani është nën hetim, – i ka kërkuar vajzës 4200 euro, në këmbim të operacionit në një spital privat.

Në një tjetër rast, një kardiolog dyshohet se ka përfituar rreth 19 mijë euro nga një spital privat, të cilit i ka dërguar deri në 15 pacientë gjatë ditës.

Ky skandal shëndetësie ka shtyrë kardiologët e sektorit publik të hyjnë në grevë, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Prokurorisë për zgjerim të hetimeve, të cilin e quajnë presion ndaj punës së tyre. Sindikalistët shëndetësorë janë takuar me kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi.

“Unë mendoj se, ne jemi marrë vesh që kjo të shkojë në mënyrë konfidenciale. Normalisht që shteti duhet t’i bëjë hetimet dhe ne, si qytetarë, duhet t’i përgjigjemi shtetit. Mirëpo nuk ka nevojë të bëhet mediatike. Ata që kanë bërë gabime dhe evazion fiskal, ata të japin përgjigje dhe të mbajnë përgjegjësi”, tha Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikaliste të Shëndetësisë, Kosovë.

“Nëse ne sigurojmë prova të mjaftueshme, nga personat që janë duke pritur para zyrës së prokurorit kompetent, sigurisht që do të jetë një rast i madh. Por, nëse nuk ka prova të mjaftueshme, atëherë do të shohim që ndaj personave, për të cilët ka fakte, të vazhdohet procedura penale”, tha Aleksandër Lumezi, kryeprokuror i Kosovës.

Për shkak të grevës së mjekëve, të enjten në Departamentin e Kardiologjisë kanë punuar vetëm disa mjekë kujdestarë, ndërsa kanë pranuar vetëm raste emergjente.

Top Channel