PE mbështet Kosovën, miratohet raporti në Komitetin e Jashtëm

28/01/2016 00:00

Me 37 vota pro, 12 kundër dhe 9 abstenime, Komiteti i Jashtëm në PE mbështeti raportin mbi Kosovën, ku, si shqetësime kyçe, renditen pavarësia e medias dhe e gjyqësorit, korrupsioni i nivelit të lartë, krimi i organizuar dhe reformat për tregun e punës.

Dokumenti pritet të miratohet në seancën plenare të 4 shkurtit, duke shënuar, sipas raportueses Ulrike Lunaçek, javën e 3të të vendimmarrjes pozitive të Unionit, pas miratimit të MSA-së me Kosovën.

“Në këto 3 javë jepen mesazhe shumë të mira për Kosovën. Është pjesë e procesit të integrimit europian dhe ne duam që Kosova, si një vend europian, të jetë anëtare e BE-së në të ardhmen. Së dyti, raporti i bën thirrje të dy palëve. Qeverisë i kërkohet të bëjë më shumë për luftën kundër korrupsionit dhe të punojë më tepër në përmirësimin e situatës ekonomiko-sociale, sepse kjo i bën njerëzit të pakënaqur  me qeverinë, sidomos për vendet e punës për të rinjtë. I bëjmë thirrje gjithashtu opozitës që të ndalojë aktet e dhunës në parlament, apo jashtë tij, të rikthehet në Kuvend dhe si parlamentarë, të bëjnë punën e tyre. Më vjen mirë kur shoh se këtu, anëtarët e partive të ndryshme të komitetit të integrimit flasin me njëri-tjetrin, por të njëjtën gjë duhet ta bëjnë edhe kur të kthehen atje, në kuvendin e Kosovës. Së treti, mbi liberalizimin e vizave, i bëhet një thirrje e fuqishme qeverisë që të zbatoj me shpejtësi kriteret e fundit që kanë mbetur dhe më pas, të gjithë do t’i drejtohen Komisionerit Avramopulos, që të veprojë pa pengesa për dhënien e dritës së gjelbër mbi këtë. Por, siç ia kam thënë dhe opozitës kosovare, imazhet negative të Kosovës në ekranet e televizioneve tona, brenda BE-së, nuk ndihmojnë për liberalizimin e vizave. Përkundrazi, krijojnë imazhin e një Kosove të dhunshme dhe shumë njerëz nuk e vrasin mendjen shumë për Kosovën. Këto imazhe po e dëmtojnë me të vërtetë procesin e liberalizimit të vizave me Kosovën dhe uroj që kjo të ndryshojë”, shprehet Ulrike Lunaçek.

Komiteti i Jashtëm i PE kaloi me 50 vota pro edhe raportin për Serbinë, duke njohur progresin e deritanishëm për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. E pyetur nga Top Channel mbi çështjen më të debatueshme të raundit të fundit të dialogut të nivelit të lartë, Lunaçek i referohet zbatimit të vendimit të gjykatës kushtetuese të Kosovës.

“Jam optimiste për momentin se me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që thotë se marrëveshja është në rregull si e tillë, por duhen adaptuar disa parime në të, që lidhen me ligjin dhe statutin, po të bëhet kështu, kjo është në rregull, duke siguruar se nuk bëhet fjalë për një mandat ekzekutiv për këto komuna. Ata duhet të merren me banesat, shkollat, ujin e kanalizimet për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe kjo është kaq e nevojshme në Veri të Kosovës. Nuk ka të bëjë fare me mandate ekzekutive dhe influencimet ndaj qeverisë në Prishtinë”, thotë Lunaçek.

Për Lunaçek, Beogradi duhet të respektojë njësoj të drejtat e minoritetit shqiptar në Preshevë, siç i kërkon për serbët e veriut në Kosovë. Në raport, Serbisë i kërkohen reforma më sistematike për Gjyqësorin, Prokurorinë, lirinë e medias, luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel