Rezoluta e KiE, Konjufca: Mes Tiranës e Prishtinës nuk ka koordinim

28/01/2016 20:00

Opozita e Kosovës e lexon si dështim të diplomacisë së Kosovës dhe mungesë koordinimi të faktorit shqiptarë në organizmat ndërkombëtare, kalimin e rezolutës së KiE-së bashkë me amendamentet e Serbisë.

Në lidhje direkte me edicionin qendror informativ të Top Channel, Glauk Konjufca nga Vetëvendosje tha se ajo që u vendos përmes kësaj rezolute kthen Kosovën pas në kohë.

“Miratimi i rezolutës në KiE është një hap pas për Kosovën në arenën ndërkombëtare sepse kaluan disa amendamente të Serbisë dhe dy janë të dëmshme; ajo që kërkon krijimin e bashkësisë së komunave serbe, në një kohë që ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që sfidon këtë marrëveshje si antikushtetuese dhe e dyta është rikthimi i rolit të UNMIK-ut në Kosovë”.

Konjufca ja faturoi këtë dështim të radhës të diplomacisë shqiptare mungesës së koordinimit mes faktorit shqiptar në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.

“Mes Tiranës dhe Prishtinës nuk po shkon asgjë mirë. Kam qenë anëtar i delegacionit të Kosovës në KiE dhe nga përvoja flas që nuk ka një koordinim mes delegacionit të Kosovës dhe deputetëve shqiptarë, po ashtu edhe me pjesën shqiptare të politikës në Shkup. Nuk ka koordinim”, tha Konjufca.

Ndërkohë, po në lidhje të drejtpërdrejtë me telefon nga Strasburgu, nënkryetari i delegacionit shqiptar në KiE, Oerd Bylykbashi nuk komentoi se përse më 8 dhjetor, atëherë kur Serbia ka paraqitur amendamentet e veta, përfaqësuesit shqiptarë nuk kanë qenë të pranishëm.

Top Channel