“Fiks Fare”: Stomatolog punon edhe pa licencë

28/01/2016 00:00

Emisioni “Fiks Fare” mbrëmjen e kësaj të enjteje solli rastin e një zotërie nga Shkodra, i cili ka mbaruar studimet për stomatolog tek Universiteti Kristal, ndërsa ushtron profesionin e stomatologut pa qenë i licencuar si mjek as nga “Urdhri i Mjekut”, as nga ai i stomatologut pasi nuk ka dhënë provimin e shtetit.

Personi në fjalë quhet Mond Ulqinaku. Ai punon me licencën e një mjeku stomatolog, i cili vetë është i punësuar në spitalin shtetëror. Ai, sipas inspektorëve, jo vetëm punon në shkelje të ligjit, shkelje për të cilën mund të ndiqet penalisht, por ajo që është më e rëndësishme është se rrezikon jetën e pacientëve.

Redaksia e “Fiks Fare” mori një e-mail ku pretendohej se në kliniken “Nord dendal” në Shkodër punonte një mjek i palicencuar prej vitesh. Sipas tyre, ai lavdërohet tek pacientët se i ka mbaruar studimet në Itali.

Pranë Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, ky mjek ka dorëzuar të gjitha dokumentet e nevojshme për të hapur një klinikë, por i mungonte vetëm certifikata e licencës për të ushtruar profesionin. Ai kishte QKR, QKL, planimetrinë e objektin dhe kontratën me firmën e asgjësimit të mbetjeve.

Bashke me inspektorë të Inspektoratit Shëndetësor, “Fiks Fare” shkoi pranë klinikës, ku pasi ushtrojnë kontrollin, ata vërejnë që mjeku punon i palicencuar. Sipas tyre, kanë ushtruar edhe kontrolle të tjera, por mjeku nuk është gjetur në punë. Është gjetur një tjetër mjeke që nuk punon më aty.

Ndërkohë, mjeku në një intervistë dhe ballafaqim me inspektorët para kamerës së “Fiksit” pranon që punon për pa licencë, pasi sipas tij, nuk e ka parë të arsyeshme, nuk e di pse duhet të rrezikojë pacientet pasi  ai pretendon se nuk punon në mbushje apo heqje, por vetëm i lustron dhëmbët, meqë ka mbaruar edhe një shkollë për laborant dentar.

Pasi shfajësohet, vet ai fillon të kallëzoj shokët, duke pretenduar se edhe ata që punojnë përballë tij kanë vite që i ka skaduar licenca dhe se punon edhe i biri që nuk ka shkollë fare.

Gjithashtu, ai pretendon se është i regjistruar në QKL në dhe punon me licencën e një mjeku tjetër që sipas tij, bën gjithë punën. Por, në  momentin që ngre këtë pretendim inspektorja ja kthen menjëherë, që doktori në fjale nuk ka mundësi të punojë edhe këtu, pasi ai është i punësuar në spitalin shtetëror.

Top Channel