Marrëveshja me BERZH; PD voton kundër: Alarm për rritjen e borxhit

28/01/2016 00:00

Opozita votoi kundër marrëveshjes së huasë me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për dixhitalizimin e shërbimeve në vlerën e mbi 29 milionë eurove.

Demokratët e shpjeguan këtë votim si kambanë alarmi ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore për rritjen e borxhit.

“Po merret borxh për luksin e zyrave të qeverisë dhe për tualetet e ministrive. Jam i bindur që ajo që prodhohet në tualetet e qeverisë nuk gjeneron asnjë të ardhur”, tha Paloka.

“Në qoftë se dy institucione e vlerësojnë se ky borxh dhe e gjithë ekspertiza që na është paraqitur përpara vlerëson që ky borxh jep një efekt pozitiv në shërbime i transformuar pastaj në ekonomi, në cilësi, në shërbime ndaj qytetarëve, hajde ta mbështesim atë”.
 
Parlamenti miratoi marrëveshjen financiare me BERZH për mbështetjen e bujqësisë. Mazhoranca rrëzoi ndërkaq amendamentin e Jozefina Topallit për zgjatjen e afatit të ligjit të pronave miratuar nga qeveria “Berisha”.

“Jozefina Topalli ka kthyer prona për familjen e vet në vlerë prej 5.7 milionë dollarë . Ata që janë latifondistë dhe e përdorin votën në Parlament kur u duhet dhe pushtetin për të kthyer pronat e veta, të paktën kur të flitet për prona mos të flasin. Latifondistja Jozefinë, latifondisti Bujar dhe të tjerë me radhe i kanë marrë pronat e tyre dhe këtu qajnë me lot krokodili për t’ju kthyer pronat ish-pronarëve”, tha Balla.

“Tash ti mbylle gojën. Ti vjen nga fshatrat më të humbura të Librazhdit . Ti ke lind në një kasolle dhe je ndër më të pasurit sot. Do të më thuash pak pse ti je i pasur dhe të tjerë që kanë lindur në kasolle, për të cilët më vjen shumë keq, nuk janë pasuruar si ti? Në karrigen time si kryetare e Parlamentit, familja ime nuk ka marrë pronat e saj sepse nuk kam dashur të shfrytëzoj karrigen e kryetares së Parlamentit, por ti nuk mund ta imagjinosh një gjë të tillë”, iu kundërpërgjigj Jozefina Topalli.

Top Channel