Gjermania “pasuron” listën e “vendeve të sigurta” edhe me 3 shtete të tjera

29/01/2016 00:00

Gjermania planifikon t’i shtojë Algjerinë, Marokun dhe Tunizinë, listës së saj të vendeve të origjinës së sigurtë. Tani, shtetasit e këtyre vendeve zor se do të arrijnë të marrin azil, sqaroi ministri i Ekonomisë, Sigmar Gabriel.

Lëvizja e Berlinit është pjesë e një pakete të re masash, që synojnë ashpërsimin e rregullave në vendin e përballur vitin që shkoi me një valë gjigante azilkërkuesish, prej plot 1,1 milionë vetë.

Komentet e Gabrielit erdhën pas bisedimeve që socialdemokratët e tij zhvilluan me kristiandemokratët e Angela Merkelit dhe partinë simotër të këtyre të fundit, CSU. “Atmosfera ishte mjaft pozitive”, – citohet të ketë thënë ai.

Maroku iu përgjigj menjëherë propozimit, me zotimin të riatdhesojë të gjithë shtetasit e vet të mbërritur në Gjermani ilegalisht. Koalicioni qeverisës gjeti kompromisin edhe në lidhje me bashkimin familjar të refugjatëve sirianë, i cili u vendos të pezullohet për dy vite.

Në të njëjtën kohë do të përshpejtohet ndjeshëm deportimi i personave, të cilëve iu është refuzuar kërkesa për azil. Çështja e emigrantëve ishte kthyer në një ngërç të vërtetë për qeverinë e Merkelit, të cilën CSU arriti deri aty sa ta kërcënonte me gjyq, nëse kërkesa e saj për frenimin e fluksit të të ardhurve nuk do të trajtohej me seriozitet.

Tani që mosmarrëveshjet disajavore mbi të ashtuquajturën “Paketa e II-të e azilit” u sheshuan, Kancelarja mund të marrë frymë lirisht. Ujdinë e parapriu një grindje e gjatë mbi ligjet e miratuara në nëntor, duke e helmuar atmosferën brenda koalicionit.

Megjithatë “të gjelbrit” janë të pakënaqur. “Kush e pezullon bashkimin familjar, pranon në heshtje që të mbyten në Mesdhe fëmijë dhe gra, pranon në heshtje që integrimi do të jetë edhe më i vështirë”, tha për “AFP”-në zëdhënësja e grupimit, Franziska Brantner. Propozimet e koalicionit duhet të aprovohen tani nga Qeveria dhe nga Parlamenti gjerman.

Top Channel