Tensione diplomatike ndërmjet Kanadasë dhe Kinës

29/01/2016 00:00

Një shtetas kanadez i ndaluar nga autoritetet kineze që nga viti 2014 është akuzuar se ka vjedhur sekrete shtetërore. Agjencia shtetërore e lajmeve “Xinhua” raportoi se autoritetet kanë gjetur prova se Kevin Garrat ka pasur urdhra nga Agjencia e Spiunazhit Kanadez që të grumbullojë informacione në Kinë.

Garrat, që prej kohësh është rezident në shtetin kinez, është akuzuar në Dandong, një qytet në verilindje të Kinës ku ai kishte edhe një lokal që nga viti 2008.

Akuzat që janë ngritur ndaj kanadezit paralelisht kanë ngritur edhe tensionet mes Otavës dhe Pekinit.

“Në lidhje me këtë rast, qeveria kanadeze është në kontakte me qeverinë kineze duke e ngritur këtë çështje në nivelet më të larta. Ne jemi duke vëzhguar nga afër të gjitha zhvillimet”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Jashtëm, Francois Lasalle.

Edhe bashkëshortja e Kevin Garrat, Julie, është arrestuar në gusht të vitit 2014, por u lirua në shkur të vitit të kaluar. Megjithatë, sipas djalit të tyre, ajo ende nuk mund të largohet nga Kina.
 
Arrestimi i Kevin Garrat ndodhi vetëm një javë pasi Kanadaja akuzoi hapur Kinën se hakerët e këtij vendi kishin hyrë në rrjetin e kompjuterëve të tyre.

Top Channel