Reparti i ri i RENEA-s, investim 6 milionë euro

29/01/2016 00:00

Një investim i qeverisë prej 6 milionë euro do të mundësojë së shpejti një ndërtesë të re për forcat speciale RENEA.

Ministri i Brendshëm tha se do të rritet vëmendja për të përmirësuar kushtet e punës, jetesës dhe stërvitjes për policinë, sepse ata janë njerëzit më të përkushtuar në shërbim të publikut.

“Ju e dini që forcat RENEA kanë qenë në vëmendjen tonë maksimale. Kemi filluar me sigurimin e jetës dhe shëndetësor për Forcat Speciale ku përfshihet edhe FNSH dhe RENEA. Ndërkohë do të vazhdojmë me të gjitha trupat e Policisë së Shtetit, sepse ne besojmë që punonjësit e Policisë janë më të përkushtuar ndaj detyrës kur nuk kanë problemet që kanë pasur në të kaluarën, duke filluar nga trajtimi, mjedisi kur stërviten për të bërë punën, deri tek paga që ne e kemi rritur me mbi 25% për nivelin bazë apo sigurimi shëndetësor apo i jetës. Deri dje, ndër sakrificat e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të RENEA ka qenë dhe ajo e padrejtë e kushteve skandaloze”, tha ministri Tahiri.

Për ndërtimin e repartit të ri të forcave speciale RENEA, 4.1 mln euro janë financuar nga buxheti i shtetit dhe 1.9 nga Bashkimi Europian.

Top Channel