Dekonspirimi i përgjimeve në SHISH, alarmohet Komisioni i Sigurisë

29/01/2016 15:20

Arrestimi i agjentit të SHISH, Florian Bushi, i cili punonte në departamentin e kundrazbulimit me detyra specifike për Fierin dhe Vlorën, nën dyshimin se i ka kaluar informacione sekrete një grupi kriminal, ka alarmuar Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare.

“Kjo ngjarje i kalon masat e një shqetësimi të zakonshëm. Kuptohet që ka cfryrje të informacioneve. Pse mos të themi që ka edhe shit-blerje. Nuk është thjesht një shpërdorim detyre që sic kam lexuar për akuzën. Ai është kriminel sepse luan edhe me fatet dhe jetën e bashkepuntorëve të tjerë punonjësve të SHISH apo policisë”, tha Spartak Braho.

Ndërkohë Pjerin Ndreu antar i këtij komisioni shpjegon përse mund të ketë ndodhur kjo ngjarje. “Ne si Komision Sigurie duhet të mbajmë qëndrim për arsye se kemi shkak të mendojmë se dicka nuk shkon. Ka plot persona në SHISH që nuk kanë integritetin e duhur të punojnë aty. O kanë hyrë me lidhje politike apo farefisnore dhe nuk kanë lidhje fare me filozofinë e rekrutimit të personelit të në tilla institucione. Kjo është një edukatë e hershme shqiptare dhe kuptohet që pasajat janë rasti konkret”, shprehet deputeti Ndreu.

A është kjo ngjarje një rast i izoluar? Ndreu thotë: “Mund të ketë raste të tjera që nuk janë evidentuar. Kjo duhet të jetë një shkak që të riformatojmë edhe njëherë skemën e kontrollit të brendshëm të këtyre institucioneve. Kjo i takon drejtuesve të SHISH”.

Në këtë prononcim për Top-Channel Spartak Braho sqaroi se komisioni është duke pritur përfundimin e hetimit dhe më pas do të ndërmarrë hapat e nevojshëm duke kërkuar nga kreu shërbimit Visho Ajazi të dhëna se si është zhvilluar procesi rekrutimit të Florian Bushit.

Top Channel