Lulzim Basha në PPE, denoncon korrupsionin, rritjen e borxhit dhe zgjedhjet jo të lira

29/01/2016 00:00

Lulzim Basha e denoncoi qeverinë tek aleatët e vetë europianë si një qeveri që korrupsionin e ka ngritur në sistem dhe që, në bashkëqeverisje me krimin, mban peng reformën në drejtësi.

Në asamblenë e politike të Partisë Popullore Europiane, zoti Basha e përshkroi situatën si të papreçedentë në këto 25 vjet, çka e bën, sipas tij, të domosdoshme dhe urgjente reformën në drejtësi.

Zoti Basha u tha drejtuesve të Partisë Popullore Europiane se reforma në drejtësi mbahet peng nga vullneti i munguar i kryeministrit Edi Rama.

“Vetë mazhoranca është e përçarë në dy drafte, sepse Rama nuk do konsensus, por synon kapjen politike të drejtësisë”, ishte fraza që ka përsëritur më shpesh kreu i opozitës në takimet e tij në Bruksel.

Basha tha se kjo do të ishte fatale për vendin, sepse, përtej kapjes politike do ta vendoste drejtësinë në funksion të bandave dhe krimit që sot janë në bashkëqeverisje me kryeministrin Rama.

Kreu i opozitës u shprehu drejtuesve të Partisë Popullore Europiane vullnetin e Partisë Demokratike për të realizuar reformën në drejtësi në shërbim të luftës kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar.

Top Channel