Njohja e diplomave, protestuesit takohen me Veselin

29/01/2016 00:00

Protesta e të diplomuarve në universitetet jo publike të Shqipërisë për njohjen e diplomave në Kosovë, ka përfunduar me një takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Kryeparlamentari Veseli kërkoi mirëkuptim nga protestuesit, duke thënë se çdo diplomë e njohur nga Republika e Shqipërisë do të njihet edhe nga Kosova. Ai shtoi se, në të njëjtën kohë, qytetarët e Shqipërisë kanë probleme me lejeqëndrimet në Kosovë, gjëra që – sipas tij, – nuk do të duhej të ndodhnin mes dy vendeve.

“Ne kemi probleme, të cilat nuk duhet të ndodhin. Më vjen shumë rëndë që e them, por kemi edhe problemin e qëndrimit, veçanërisht me qytetarët nga Republika e Shqëipërisë. Kjo do të adresohet shumë shpejt, sepse ajo çështje duhet të thjeshtësohet. Tashmë po na del edhe kjo çështje”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Protestuesit shkuan deri te Veseli, pasi gjatë mëngjesit, në takimin me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, atyre sërish iu tha se ka mbetur vetëm miratimi i udhëzimit administrativ, i cili fuqizon njohjen e diplomave duke u bazuar në marrëveshjet me palët e treta.

“Ky udhëzim i është përcjellë qeverisë dhe unë shpresoj, që ajo ta vendosë shumë shpejt në rend dite dhe ta miratojë, veprim me të cilin i hapet rrugë zgjidhjes së këtij problemi 15-vjeçar”, tha Arsim Bajrami, ministër i MASHT.

Marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave mes Kosovës dhe Shqipërisë është nënshkruar në mars të vitit të kaluar, por kjo nuk është zbatuar në Kosovë me arsyetimin e procedurave ligjore, pasi Kosova është anëtare e agjencisë europiane të akreditimit për sigurinë e cilësisë në arsimin e lartë, ENQA, ndërsa Shqipëria jo.

Top Channel