AKP dhe Kuvendi premtojnë mbrojtjen e aseteve të Kosovës

29/01/2016 00:00

Largimi i uzurpatorëve të pronave publike dhe shoqërore, mbrojtja e Trepçës nga privatizimi, rishikimi i metodologjisë së privatizimit, dhënia e 20 përqindëshit për punëtorët nga privatizimet…

Këto janë premtimet, që drejtuesit e Bordit të Agjencisë së Privatizimit të Kosovës i bënë këtë të premte në takim, kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Nga ana tij, Veseli bëri të ditur se për dy javë, në bashkëpunim me AKP-në do të publikohen emrat e tyre, që – sipas tij, – kanë zënë pronat publike dhe shoqërore, ndërkohë që kërkoi nga ata të largohen nga këto prona, e për këtë ftoi edhe organet e gjyqësorit që të merren me këto raste.

“Mund të rishikohet metodologjia e privatizimit. Kemi rastin, kur shumë nga investuesit kanë shpenzuar edhe paranë e fundit në blerjen e pronave, e në të njëjtën kohë nuk kanë mundur të nxjerrin prodhim. Ndoshta është një ide e mirë për zonat e lira ekonomike, duhet të krijohen urgjentisht së paku 4 zona ekonomike në Republikën e Kosovës, të cilat do t’u krijojnë mundësi investitorëve potencialë të huaj dhe vendas, që me një euro të investojnë në Kosovë”, ka deklaruar Veseli.

Në lidhje me privatizimin e mundshëm të “Trepçës”, Veseli deklaroi se ligji për të do të miratohet dhe “Trepça” do të mbrohet, duke iu nënshtruar rregullave të ekonomisë së lirë.

“Asnjë gur i Kosovës nuk do të privatizohet. Veprimtaria ekonomike do t’i nënshtrohet rregullave të ekonomisë së lirë të tregut”, shtoi Veseli.

Ndërsa kryetari i bordit të AKP-së, Petrit Gashi foli për ish-punëtorët e fabrikës së tubave që gjenden në grevë, duke thënë se ata do të marrin pjesën që iu takon, por bëri thirrje që punëtorët të kenë paksa durim.

Top Channel