Bisedimet e Gjenevës për Sirinë nisin me paqartësira

29/01/2016 00:00

Paqartësia mbi pjesëmarrjen ose jo të grupeve opozitare, ka bërë që nisja e shumëpritur e bisedimeve të paqes për Sirinë të rrethohet nga pështjellimi.

Disa nga krerët e opozitës siriane thanë më herët se, përfaqësuesit e saj do ta bojkotojnë tryezën, nëse nuk ndërmerren veprime konkrete për fundin e bombardimeve mbi civilët, ndërkohë që pak më vonë, disa figura kyçe kundërshtare të regjimit deklaruan se, do të jenë në sallë.

Delegacioni i qeverisë siriane pritet të mbërrijë në Gjenevë gjatë ditës. Në një videomesazh të drejtuar popullit sirian, i dërguari i OKB-së, Staffan de Mistura e bëri të qartë se, këto bisedime janë mundësia e fundit për paqe në vendin e munduar prej konfliktit të përgjakshëm disavjeçar, e për këtë arsye edhe nuk duhet të dështojnë.

“Ne duhet të dëgjojmë sot zërin e të gjithë atyre, që do të vijnë në këtë konferencë, e të themi se ky takim është një mundësi që nuk duhet humbur”, tha Staffan de Mistura, i dërguar i OKB-së.

Lufta civile thuajse 5-vjeçare në Siri ka kushtuar më shumë se 250 mijë jetë njerëzish. 11 milionë të tjerë janë detyruar të shpërngulen, për t’iu larguar sa luftimeve mes forcave besnike të Bashar al-Assadit dhe grupeve rebele, aq edhe xhihadistëve të Shtetit Islamik.

Që bisedimet duhet të mbahen ashtu siç është planifikuar prej kohësh, këtë e pohoi zëdhënësi i OKB-së, Ahmad Fawzi, i cili shtoi megjithatë se nuk jep dot asnjë informacion konkret për kohën, vendin apo delegacionet pjesëmarrëse.

Negociatat e fundit mbi konfliktin që ka gjunjëzuar Sirinë u shembën shkurtin e 2014-s, pas vetëm dy raundesh. Për atë dështim, Kombet e Bashkuara fajësuan qeverinë siriane, që refuzoi të diskutonte kërkesën e opozitës për largimin e Bashar al-Assadit nga pushteti.

Top Channel