Suedi, mes refugjatëve edhe shumë “minorenë” fiktivë

29/01/2016 00:00

Ahmad Farid pretendon se është 16 vjeç, por duket më shumë se 18. Që Saad Alsaud nuk është 14, siç thotë, këtë e tregon qartë fotoja e afganit të rrethuar nga disa fëmijë në Suedi, ku ka kërkuar azil si jetim. Saadi mund të ishte fare mirë babai i tyre.

E fundit është fotografia e Youssaf Khaliif Nuur, i cili hiqet si 15 vjeç, e për t’u dukur më i vogël ka hequr mjekrën e mustaqet. Bëhet fjalë për autorin e ngjarjes tronditëse të disa ditëve më parë, kur punonjësja 22-vjeçare e një qendre pritjeje për azilkërkues në këtë vend, gjeti vdekjen nga dora e tij.

Përmes publikimit të këtyre fotove, pas “dritës jeshile” të dhënë nga qeveria, media suedeze kërkon të ilustrojë me shembuj konkretë pasojat e politikës së pranimit pa filtra të emigrantëve jetimë.

Vendi sot, sipas kritikëve, është mbushur me “minorenë të pashoqëruar”, një pjesë e të cilëve janë mashtrues. Padyshim, nuk është e lehtë të mos simpatizohen të miturit, që e gjejnë veten mes “lumit” të emigrantëve që kanë vërshuar në Europë.

Por ama një i rritur që hiqet si adoleshent, vetëm për të përfituar nga avantazhet e një sistemi liberal, është krejt gjë tjetër, argumentojnë mediat, që publikuan fotot e “gjoja” të rinjve, duke u kujdesur të tregojnë gjithashtu sesa bujar është shteti me këtë kategori refugjatësh, të cilëve u rezervon strehim të menjëhershëm falas dhe një pagesë “cash”prej 200 eurosh në muaj.

Tre të katërtat e të miturve e marrin lejen e qëndrimit, çfarë u lejon që më vonë të tërheqin edhe familjarët e tyre. Rregullat suedeze të të drejtave të njeriut nuk e lejojnë verifikimin fizik të emigrantëve, me qëllim përcaktimin e saktë të moshës së tyre, pasi procedura të tilla cilësohen si të padrejta, të dyshimta e shqetësuese për individin.

Top Channel