Kinë, nxirren pas 36 ditësh nën tokë 4 minatorë; mister fati i 12 të tjerëve

29/01/2016 17:25

Katër minatorë kinezë që ishin bllokuar nën tokë prej 36 ditësh janë nxjerrë në sipërfaqe nga skuadrat e shpëtimit, raportojnë mediat kineze.

Minatorët ishin bllokuar në thellësi në një minierë gipsi, në provincën lindore Shandong, që prej dhjetorit.

Televizioni publik kinez tregoi pamje dramatike të një prej tyre që nxirrej në sipërfaqe dhe transportohej direkt për në spital për shkak të gjendjes së rëndë.

Gjithësej të bllokuar mbetën 17 persona, si pasojë e shembjes së një masivi. Përveç atyre 4 që u nxorrën të gjallë, njëri është konfirmuar i vdekur, ndërsa fati i të tjerëve nuk dihet ende.

Mediat kineze raportojnë se të shpëtuarit ndodhen tashmë në spital dhe janë në gjendje shëndetësore të qëndrueshme. Më shumë se 400 anëtarë të ekipeve të shpëtimit dhe emergjencave morën pjesë në këtë operacion.

Për javë të tëra ata kanë gërmuar nën tokë për të arritur tek të bllokuarit dhe përmes tuneleve çuan tek ata ujë e ushqime. Këtë të premte minatorët u nxorrën në sipërfaqe përmes një vinçi pasi ishin futur në një lloj kapsule mbrojtëse.

Pamje filmike të regjistruara më herët në thellësitë e tokës tregonin 4 minatorët teksa qëndronin së bashku. Që prej tyre dëgjohej të thoshte:

“Ndihem i lehtësuar dhe i sigurt tani. Do të jeni gjithmonë në kujtimet e mia”, u thoshte ai ekipeve të shpëtimit.

Top Channel