“Kumanova”, në shkurt paraqiten dëshmitë e para nga Prokuroria

29/01/2016 00:00

Prokuroria Publike në Shkup do të nisë muajin e ardhshëm me prezantimin e dëshmive që zotëron, kundër pjesëtarëve të grupit të “Kumanovës”, të cilët i akuzon për organizimin e sulmeve terroriste në Maqedoni.

Në seancën e parë gjyqësore, që është caktuar të mbahet më 9 shkurt, prokurorët Naum Panovski dhe Dilma Ruskovska do të paraqesin dëshmitë e para, për të cilat ende nuk ka detaje të hollësishme as pala mbrojtëse.

Nga ana tjetër, partitë maqedonase i kanë shpallur “terroristë” pjesëtarët e grupit të “Kumanovës”, ende pa filluar procesi gjyqësor. Madje, sa herë që flitet për terrorizmin global, VMRO-DPMNE-ja e Nikola Gruevskit i krahason ngjarjet në “lagjen e Trimave” me sulmet në Paris.

“Ajo që ndodhi në Kumanovë është një akt terrorist dhe policia parandaloi aktivitetet e mëtejshme të këtij grupi terrorist në territorin e Maqedonisë”, tha Pavle Sazdvo, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Duke reaguar ndaj deklaratave të kolegut maqedonas, deputeti i pavarur shqiptar, Zulfi Adili ka thënë se rasti i “Kumanovës” është shumë i komplikuar dhe ka kërkuar që të mos cilësohet si “akt terrorist” përpara se të përfundojë procesi gjyqësor.

“Do të ishte mirë, që rasti në fjalë të sqarohet fillimisht nga institucionet, e më pas deputetët le të bëjnë kualifikimet se çfarë ka qenë ‘Kumanova’, një akt terrorist apo jo”, tha Zulfi Adili, deputet i pavarur.

Pjesëtarët e grupit të armatosur, që akuzohen se kanë sulmuar policinë maqedonase më 9 dhe 10 maj në Kumanovë, kanë kundërshtuar akuzën për terrorizëm dhe kanë thënë se ndihen të pafajshëm.

Top Channel