Gjiri Persik, tjetër “përplasje” mes Iranit dhe SHBA-ve

29/01/2016 00:00

Irani duket se po përsërit në mënyrë të vazhdueshme provokimet, teksa këtë të premte, media shtetërore njoftoi në lidhje me fluturimin e një “drone” (avion i telekomanduar) mbi një aeroplanmbajtëse amerikane, duke shkrepur fotografi “të përpikta” të saj, pjesë e një misioni stërvitor detar.

Marina amerikane reagoi dhe tha se një avion i tillë i paarmatosur fluturoi pranë një aeroplanmbajtëse amerikane dhe një franceze në fillim të këtij muaji, por deri më tani nuk mund të konfirmohet nëse kemi të bëjmë me të njëjtin incident edhe kësaj here.

Fluturimi i një “drone” të tillë vjen pas një serie incidentesh detare mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara në Gjirin Persik, përfshi këtu lëshitimin e një rakete testuese nga Republika Islamike dhe arrestimi i përkohshëm i disa marinsave amerikanë, të cilët kishin hyrë gabimisht në ujërat territorialë të Teheranit.

Marina amerikane tha se nuk i ishte kundërpërgjigjur me zjarr, pasi “drone” në fjalë ishte i paarmatosur dhe nuk kërcënonte sigurinë e anijes, por incidenti tregon edhe njëherë se tensionet mes Amerikës dhe Iranit në ujërat e gjirit mbeten, pavarësisht zbutjes diplomatike të kohëve të fundit.

Pamjet e publikuara nga televizioni shtetëror iranian dhe agjencia e lajmeve “Fars”, e cila njihet për lidhjet e afërta me Gardën Revolucionare iraniane, nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur nga “Associated Press”.

Komandanti Kevin Stephens, zëdhënës për Flotën e 5-të të Marinës amerikane të vendosur në Bahrein, tha se një “drone” i paarmatosur fluturoi pranë aeroplanmbajtëses franceze “Charles de Gaulle” dhe “ekzaktësisht mbi” atë amerikane “Harry S. Truman” më 12 janar, teksa ato ishin në ujërat ndërkombëtarë të Gjirit Persik.

Siç shprehet ai, Marina amerikane ngriti në fluturim një helikopter, që përcaktoi se “drone” ishte i paarmatosur dhe “nuk përbënte asnjë rrezik ndaj anijes”, ndërkohë që aeroplanmbajtësja nuk po zhvillonte operacione fluturimi në atë kohë. Komentet e tij lënë të nënkuptohet se situata mund të kishte qenë e ndryshme, nëse mbi atë anije do të ishin duke u zhvilluar ulje dhe ngritje avionësh luftarakë.

Top Channel