UT, marrëveshje për studime shkencore mbi sigurinë me “G. C. Marshall”

29/01/2016 00:00

Një marrëveshje që ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit dhe mendimit shkencor, mes dy palëve nënshkruese, në fushën e sigurisë kombëtare është arritur këtë të premte në Tiranë, në ambientet e Universitetit të Tiranës, mes vet UT-së dhe shoqatës “George C. Marshall, Shqipëri”.

Siç bëhet e ditur përmes një deklarate për shtyp pas kësaj ngjarjeje, marrëveshja është nënshkruar nga rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Dhori Kule, si dhe kryetari i bordit të shoqatës “G. C. Marshall, Shqipëri”, Prof. Dr. Pajtim Ribaj, si dhe është hartuar në përputhje e në zbatim të statutit të kësaj shoqate.

Risia ka të bëjë me ofrimin e studimeve të thelluara shkencore në fushën e sigurisë kombëtare, në promovimin e parimeve të strategjisë kombëtare të sigurisë te studentët, me synimin për të forcuar dhe rritur cilësinë e implementimit të strategjisë kombëtare në fushën e sigurisë.

Dy nënshkruesit, Kule dhe Ribaj u shprehën se, marrëveshja ka një rëndësi të veçantë, pasi synon të rrisë rolin, kualifikimin dhe motivimin e kërkuesve të rinj për studime në fushën e sigurisë, dhe vjen si fryt i bashkëpunimit të suksesshëm mes dy institucioneve në fjalë.

“Kjo nismë e ndërmarrë do të ketë ndikim në procesin e zbatimit sa më të mirë të Strategjisë Kombëtare të Sigurisë, duke arritur rezultatet e duhura në këtë sfidë”, tha Profesor Ribaj, kryetar i Bordit Drejtues të shoqatës.

Top Channel