Leskaj për akuzat e PD: Me delegacion kosovar, koordinim në KIE

29/01/2016 20:05

Kryetarja e delegacionit të përhershëm të Shqipërisë në Këshillin e Europës, Valentina Leskaj i është përgjigjur akuzave të demokratëve për mungesën e bashkëpunimit dhe koordinimit me palën kosovare për votimin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Në deklaratën e shpërndarë për publikun, ajo thotë se me delegacionin kosovar janë bashkërenduar qëndrimet dhe veprimet shumë më përpara se zhvillimi i mbledhjes së një dite më parë.

Në ndryshim nga cilësimi i përgjithshëm si dështim për Kosovën, kryetarja e delegacionit shqiptar në KiE e sheh rezolutën në tërësinë e saj si pozitive.

Zonja Leskaj e argumenton këtë me faktin se, përfundimet e rezolutës kërkojnë qartazi ngritjen e nivelit të marrëdhënieve të Këshillit të Europës me Kosovën.

Duke iu referuar votimit të Asamblesë, zonja Leskaj thotë se votimi tregoi që të majtët europianë, si në opinione ashtu edhe në votimin në Asamble, ishin në mbështetje të interesave të Kosovës, përkundër të djathtës, thotë ajo, së cilës i përket edhe Partia Demokratike.

Deputetja socialiste nuk sqaron nëse ka qenë apo jo e pranishme në Komitetin Politik të Këshillit të Europës, në 8 dhjetor 2015, për të cilën akuzohet nga Partia Demokratike.

Top Channel