Rebelimi i fermerëve grekë, sërish probleme në Kapshticë

29/01/2016 00:00

Rebelimi i fermerëve grekë ndaj ndryshimeve në sistemin e taksave dhe pensioneve vijon të shkaktojë probleme edhe në vendin tonë. Bllokimi i shpeshtë i akseve nacionale prej ditësh ka reflektuar pengesa në zonën kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Vetëm në 24 orët e fundit në pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës puna është ndërprerë më tepër se 5 herë në intervale kohore që variojnë nga 30 minuta deri në dy orë, çka ka shkaktuar jo pak vonesa për udhëtarët.

Sipas informacioneve nga autoritetet tona kufitare, sinjalizimet për ndërprerjen e punës u komunikohen nga pala greke vetëm pak minuta para, veprim që bën edhe qytetarët të gjenden të papregatitur e të detyrohen të presin hapjen e kufirit ose të kthehen pas.

Kjo situatë ka sjellë pasoja edhe për mjetet e tonazhit të rëndë, të cilët eksportojnë dhe importojnë mallra të ndryshme nga vendi fqinjë pasi pritja për orë të tëra në kufi ka efekte negative dhe kosto për tregtarët.

Prej një jave fermerët grekë në mënyrë të përsëritur bllokojnë me mjetet e tyre bujqësore rrugët nacionale duke paralizuar qarkullimin e çdo lloj automjeti, ndërsa nuk dihet se sa do të zgjasë kjo situatë.

Top Channel