Endira Bushati nën akuzë, dosja në gjykatë për shpërdorim detyre

29/01/2016 00:00

Endira Bushati, ish-drejtoresha e AMA-s, është marrë e pandehur nga Prokuroria e Tiranës nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe dosja në ngarkim të saj i është dërguar gjykatës.

Procedimi penal i parë ndaj saj është bërë në mars të 2014-s, ndërsa i dyti daton në tetor të të njëjtit vit dhe është regjistruar në Prokurorinë e Elbasanit.

Tre media kabllore në këtë prefekturë transmetonin programe të Top Channel, TV Klan dhe TVSH në mënyrë pirate. Të dyja paditë mbi dyshimet se zonja Bushati ka shpërdoruar me qëllim detyrën u bashkuan në një të vetme.

Në një nga shkeljet më të rënda që ka vërejtur prokuroria, për të cilën ka gjykuar se ajo duhet të merret e pandehur është fakti se vetë Bushati iu është drejtuar operatorëve televizivë duke iu kërkuar transmetime të hapura të televizioneve kombëtare, duke bërë shkelje të rënda në detyrën e saj.

Pas ankesave të operatorëve televizivë, Bushati e ka korrektuar letrën e saj pas gjashtë muajsh, por pa marrë masa për ndalimin e veprimtarive të kabllorëve. Shkresat zyrtyare të saj ndaj piratëve kabllorë konsiderohen një shkelje e hapur dhe flagrante e ligjit.

Pavarësisht ankesave të televizioneve kombëtare dhe kompanisë DigitAlb, të cilët kanë paraqitur prova për transmetime të paligjshme, Endira Bushati, në cilësinë e drejtoreshes së AMA-s, nuk ka marrë asnjë masë ndaj piraterisë.

Në këto kushte, thotë prokuroria, në veprimtarinë e saj si kryetare e KKRT dhe AMA, Bushati nuk ka përmbushur detyrimin ligjor për penalizimin e subjekteve që transmetojnë në mënyrë të paligjshme.

Pas hetimeve disamujore, duke gjetur një sërë shkeljesh të rënda të drejtueses së AMA-s, Prokuroria e Tiranë, duke marrë në bazë edhe konstatimet e bëra nga Prokuroria e Elbasanit, ka ngritur dyshime të bazuara në prova se Bushati ka konsumuar veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, i parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Top Channel