Eksplozivi në xhaminë e Drenasit, reagon BIK-u

29/01/2016 00:00

Bashkësia Islame e Kosovës ka dënuar rastin që ndodhi pasditen e së premtes, ku në oborrin e xhamisë së Drenasit është gjetur një çantë në të cilën dyshohet se kishte eksploziv.

Sipas BIK-ut, fakti që në xhami kishte rreth 500 besimtarë e bën këtë një akt të papranueshëm dhe me elemente që të çojnë në akte terroriste, ndërsa qëllimi është futja e frikës, ushtrimi i dhunës, terrorit e shkatërrimit.

“Aktet të tilla nuk kanë të bëjnë asgjë me mësimet dhe predikimet e fesë islame dhe as me traditën e popullit tonë, ndaj kërkojmë nga të gjithë që të jenë të përgjegjshëm dhe më të vëmendshëm për të garantuar jetën e qytetarëve të vendit, pronës së tyre dhe për të ruajtur e garantuar veprimin dhe funksionimin e institucioneve publike e fetare”, thuhet në deklaratën e BIK-ut të lëshuar në orët e mbrëmjes.

Bashkësia Islame e Kosovës thotë se xhamitë janë vend për adhurim, falje e lutje, prandaj aty nuk ka vend për dhunë, terror dhe frikë. Ata kërkojnë nga autoritetet kosovare që të fajtorët të dalin sa më shpejtë para drejtësisë.

“Dënojmë ashpër aktin në fjalë dhe njëkohësisht kërkojmë nga organet kompetente që sa më parë të zbulojnë autoret dhe motivet e  këtij aktit të shëmtuar dhe të vihen para drejtësitë”, përfundon deklarata e BIK.

Ndërkohë, policia ende nuk ka dhënë asnjë sqarim zyrtar se çfarë është gjetur në oborrin e xhamisë.

Top Channel