Holanda, aleati më i ri i SHBA-ve në luftën kundër ISIS në Siri

30/01/2016 00:00

Holanda është pajtuar t’i bashkohet koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në fushatën ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri. Ky vendim do të forcojë akoma edhe më tepër koalicionin ndërkombëtar kundër grupit ekstremist.

Sipas “Wall Street Journal”, kjo lëvizje e Amsterdamit pason thirrjet e përsëritura nga SHBA-të dhe Franca për të zgjeruar fushatën ajrore në Siri dhe Irak dhe pas takimeve të ministres holandeze të Mbrojtjes me homologët e saj nga këto dy vende.

Që nga viti 2014, Holanda ka kontribuar me 6 avionë luftarakë F-16 të cilët kanë bombarduar objektivat e ISIS në Irak, mirëpo ky vend tani ka vendosur që të njëjtën gjë ta bëjë edhe në Sirinë fqinje.

“Progresi që është bërë në Irak nuk do të zgjasë në rast se militantët e ISIS vazhdojnë të kontrollojnë luftimet nga Siria Lindore. Sulmet në këtë pjesë të Sirisë janë shumë të rëndësishme”, ka thënë ministrja holandeze e Mbrojtjes, Jeanine Hennis-Plasschaert.

Holanda, po ashtu, po e shqyrton edhe dërgimin e një numri më të madh të pajisjeve ushtarake për t’i mbështetur luftëtarët irakianë, të cilët po luftojnë kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Top Channel