Bisedimet për Sirinë, grupi kryesor opozitar në tryezën e Gjenevës

30/01/2016 00:00

Më në fund grupi kryesor i opozitës siriane do të bashkohet me bisedimet e paqes që po mbahen në Gjenevë.  I dërguari i OKB-së, Staffan de Mistura, ka plotësuar tashmë delegacionin e qeverisë siriane në qytetin zviceran.

Disa nga krerët e opozitës siriane thanë më herët se, përfaqësuesit e saj do ta bojkotojnë tryezën, nëse nuk ndërmerren veprime konkrete për fundin e bombardimeve mbi civilët.

Edhe pse paqartësia mbi pjesëmarrjen ose jo të grupeve opozitare, ka bërë që nisja e shumëpritur e bisedimeve të paqes për Sirinë të rrethohet nga një pështjellim, de Mistura është shumë optimist për bisedimet.

Në një videomesazh të drejtuar popullit sirian, i dërguari i OKB-së e bëri të qartë se këto bisedime janë mundësia e fundit për paqe në vendin e munduar prej konfliktit të përgjakshëm disavjeçar, e për këtë arsye edhe nuk duhet të dështojnë.

Negociatat e fundit mbi konfliktin që ka gjunjëzuar Sirinë u shembën shkurtin e 2014-s, pas vetëm dy raundesh. Për atë dështim, Kombet e Bashkuara fajësuan qeverinë siriane, që refuzoi të diskutonte kërkesën e opozitës për largimin e Bashar al-Assadit nga pushteti.

Lufta civile thuajse 5-vjeçare në Siri ka kushtuar më shumë se 250 mijë jetë njerëzish. 11 milionë të tjerë janë detyruar të shpërngulen, për t’iu larguar sa luftimeve mes forcave besnike të Bashar al-Assadit dhe grupeve rebele, aq edhe xhihadistëve të Shtetit Islamik.

Top Channel