Malajzi, zyrtarë e ish-zyrtarë kanë vjedhur 4 mld dollarë

30/01/2016 00:00

Rreth 4 miliardë dollarë mund të jenë vjedhur nga një fond i shtetit malajzian. Në këtë përfundim kanë ardhur prokurorët zviceranë të cilët kishin filluar hetimet për të ashtuquajturin “skandali i 1MHD”.

Kryeministri Razak krijoi në vitin 2009 fondin “1MDB” që duhej të shërbente për shndërrimin e Kuala Lumpur-it në një qendër financiare, por që falimentoi në pak vjet për shkak të keqmenaxhimit dhe vjedhjeve kolosale.

“Ka indikacione se fondet janë përvetësuar nga disa kompani shtetërore malajziane”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Zvicrës. Një pjesë e parave është transferuar në llogaritë e ish-zyrtarëve ose zyrtarëve aktualë malajzianë në Zvicër.

Po ashtu, një pjesë iu është transferuar edhe disa ish-zyrtarëve të Emirateve të Bashkuara Arabe. “Megjithatë, deri më sot, kompanitë malajziane në fjalë nuk kanë bërë asnjë koment mbi humbjet që besohet t’i kenë vetëshkaktuar”, vazhdon deklarata.

Prokuroria zvicerane i ka bërë kërkesë autoriteteve malajziane që t’i japin të gjithë ndihmën juridike në lidhje me hetimin. Ndërkohë, opozita në këtë vend e akuzon kryeministrin Razak se po bën pastrim parash, duke akuzuar se ka vjedhur 700 milionë dollarë.

Mirëpo, Agjencia Antikorrupsion pas një hetimi, sipas saj gjithëpërfshirës, tha se kryeministri nuk ka përvetësuar asgjë dhe se 700 milionë dollarët në llogarinë e tij ishin dhurata nga donatorë të huaj.

Top Channel