Siri, Assad avancon me ndihmën e Rusisë

30/01/2016 10:05

Ndërkohë që diplomacia ndërkombëtare kërkon zgjidhje për krizën siriane, regjimi i këtij vendi avancon falë mbështetjes vendimtare të Moskës.

Bëhet fjalë për avancime që vetëm koha do të tregojë se sa do të zgjasin, por që pa dyshim janë domethënëse.

Konflikti ka qenë gjithmonë një lëkundje fitoresh e disfatash për të dyja kampet, tepër të varura nga sponsorët e huaj: Teherani dhe Moska për regjimin dhe vendet e Gjirit, Turqia dhe Perëndimi për opozitën.

Rusët kanë kryer thuajse 6 mijë sulme ajrore, pa e vrarë shumë mendjen se kë tjetër kanë goditur përveç grupeve të rebelëve, si dhe kanë vënë në dispozicion artilieri e raketa me rreze të gjatë veprimi, forcat speciale, si dhe kanë dërguar oficerë të lartë ushtarakë si këshilltarë.

Iranianët ndërkohë kanë angazhuar milicitë shiite të Hezbollahut, që kanë luajtur një rol kyç duke luftuar përkrah njësive lokale.

Nga ana e tij, Damasku zyrtar ka përdorur forcat speciale, duke u lënë paraushtarakëve të NDF-së detyrën e ruajtjes së kontrollit. Presidenti Assad ka ndërruar së fundmi edhe komandantin e Gardës së Republikës, duke ia besuar kushëririt të tij Talal Makhlouf.

Këshilltarët e dërguar nga Putin kanë ndihmuar besnikët e regjimit që të përshtaten me taktikat e reja, ndërsa i kanë furnizuar edhe me mjete dhe rezultatet janë arritur, pavarësisht se me një kosto të lartë.

Analistët vazhdojnë të dyshojnë mbi aftësinë e presidentit sirian për të ruajtur kontrollin mbi territor sepse nuk ka shumë trupa për ta bërë këtë. Kundër rebelëve ata janë të fortë dhe të vendosur, por ndasitë e thella dhe përplasjet e brendshme i dobësojnë në momentet kritike.

Top Channel